Deputeti i PDK-së, njëherësh ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar në seancën e së enjtes të Kuvendit, se ai ka urdhëruar ndërhyrjen e njësisë së policisë FIT në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, vite më parë.
Për një gjë të tillë, Qalaj ka thënë se nuk është pishman dhe se ka vepruar ligjshëm.
“Jam shumë krenar që kam zbatuar urdhrat e ligjshëm të drejtësisë së Kosovës. Po, është e vërtetë se unë kam urdhëruar, nuk jam pishman asnjë sekondë të vetme. Do të veproja edhe sot njëjtë, pa asnjë dyshim. Jam krenar që jam edhe anëtar i PDK-së, shumë krenar”, ka thënë ai.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili tha se Qalaj është “dëshmia e kapjes së shtetit nga PDK-ja”.
“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në një parti politike të njësisë anti-terror, FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në polici përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet. Nuk na duhet asnjë raport ndërkombëtar se shteti i Kosovës është i kapur”, ka thënë Abrashi, derisa po diskutohej për formimin e komisionit hetimor për energjinë, me inicim të PDK-së.