Arbëri

Shehu: Shoqëria kosovare nuk ka mësuar nga e kaluara

Zoti, Allahu, feja, tarikatet, urrejtja, dashuria, shqiptaret, perendia

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, Lulzim Shehu, deklaroi se në botëkuptimin e fesë islame, urrejtja është ves i madh që e shkatërron tërë shoqërinë.

Ai deklaroi të mërkurën në “Sonte me Rronin” se shoqëria kosovare nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e saj, pasi, siç theksoi, jeta nën urrejtje nga pushteti ishte standard.

“Ai njeri që në zemrën e vet ka urrejtje është larg prej Zotit, larg prej bekimit të tij, prej njerëzimit. Vendi në të cilin qëndron urrejtja është zemra. Shoqëria moderne kosovare nuk ka mësuar asgjë prej së kaluarës. Ne kemi jetuar në një shtet në të cilin urrejtja ndaj shqiptarëve ka qenë standarde. Kemi qenë viktima të kësaj, por edhe ata që kanë urryer kanë qenë viktima, sepse e kanë pësuar. Njeriu që urren pëson, ai e dëmton vetveten”, deklaroi Shehu.

Sipas tij, toleranca mes popullit dhe ndërtimi i shoqërisë janë standard i fesë islame.

“Toleranca është standard islam, të ndërtosh një shoqëri të vlerave etike është standard islam. Vizioni profetik është kur edhe i riu, edhe i vjetri e gjejnë veten. Nëse del një lider fetar dhe thotë se bën të marrësh gruan e dytë, pa e pyetur të parën, kjo është e tejkaluar. Në mesjetë ka mundur ta marrë si standard, por në një shoqëri të sotme s’mund të merret si standard. Ne duhet t’i reflektojmë cilësitë e bukura të Zotit. Zoti secilin e bekoi. Urrejtja është të pish helm duke shpresuar se tjetrit do t’i bësh dëm. Porosia jonë është që shoqëria nuk bën ta pranojë urrejtjen si standard”, tha ai.

Për rrymën sufiste të islamit, Shehu tha se është rrugë shpirtërore dhe qëllim i saj parësor është që besimtari t’i afrohet Zotit.

“Të jesh mysliman e cakton a je në gjendje të falësh, të mos urresh, të jesh tolerant dhe të jesh bamirës. Një njeri që mendon se është mysliman vetëm pse nuk i do krishterët, ai nuk është mysliman. Myslimani duhet ta reflektojë bukurinë e Zotit. Nuk është qëllimi të jesh ithtar i një feje. Secila fe e ka një rrugë shpirtërore. Besimi real është prej njeriut të parë. Natyra e sufizimit është ta ngrejë njeriun, nga ndërgjegjja ku sundon egoja është niveli më i ulët. Vetëdija është pendimi”, tha tutje Shehu.