Arbëri

Dy pengesat kryesore në identifikimin e mbetjeve mortore të luftës, sipas ekspertes së EULEX-it

Kushtet e ruajtjes së mbetjeve mortore, nëse janë të djegura apo shumë të fragmentuara, dhe pamundësia për marrjen e mostrave të duhura referente të gjakut për identifikimin e bazuar në ADN, janë dy faktorët kryesorë që pengojnë në identifikimin e mbetjeve mortore të luftës së Kosovës, sipas antropologes mjekoligjore të EULEX-it, Luisa Marinho.

Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se mbetet i përkushtuar për të vazhduar mbështetjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore në përpjekjet për ndriçimin e fatit të 1620 personave, për të cilët ende s’dihet asgjë.

EULEX-i ka thënë se është i angazhuar në mbështetjen e autoriteteve dhe homologëve nga vendi, në kërkimin e varrezave të reja të mundshme dhe rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës.

“Rishikimi i mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës koordinohet nga një grup punues i udhëhequr nga ekspertët mjekoligjorë të IML-së, në bazë të strategjisë dhe planit të veprimit të grupit punues 2021-2023. Qëllimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve njerëzore që ruhen në morg si dhe i dosjeve të ndërlidhura, dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve që përfshijnë: rastet e ndërlidhura me konfliktin e që janë të interesit mjekoligjor, rastet e interesit mjekoligjor të cilat nuk janë të ndërlidhura me konfliktin, dhe rastet që nuk janë të interesit mjekoligjor. Procesi i rishikimit, i cili tashmë është në vijim e sipër, deri më tani ka rezultuar në dorëzimin e mbetjeve mortore të shtatë personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël tek familjarët e tyre”, thuhet në njoftim.

Proces tejet sfidues e ka cilësuar punën me mbetjet mortore të paidentifikuara, Marinho. Ajo ka thënë se EULEX-i “do t’i shterojë të gjitha mjetet hetimore mjekoligjore për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur që aktualisht janë nën përkujdesjen e IML-së”.

Kontaktimi i familjarëve të personave të zhdukur dhe kërkimi nga ta që të ofrojnë mostra të gjakut, është strategjia e parë për identifikimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara, ka thënë Marinho. Sipas saj, strategji e dytë është adresimi i identifikimeve të gabuara që kanë rezultuar nga “identifikimi tradicional” përmes përdorimit të ADN-së.

Edhe pse kushtet e ruajtjes së mbetjeve mortore dhe pamundësia e marrjes së mostrave të duhura të gjakut për identifikim të bazuar në ADN janë faktorët kryesorë që mund të pengojnë identifikimin e mbetjeve mortore, Marinho megjithatë shpreson që avancimi i shpejtë në teknologjinë në fushën e ADN-së mund të shpije në rezultate pozitive.

Hapje të shtigjeve të reja në hetimin mjekoligjor të disa rasteve ajo ka thënë se mund të bëhen përmes investimit në hulumtimet arkivore ndërkombëtare dhe analizimi i informatave nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe i të dhënave të organizatave tjera ndërkombëtare

Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka thënë se i ka kryer 684 operacione në teren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të zhdukur, përfshirë 181 zhvarrime. Janë identifikuar mbetje mortore të 477 individëve, përfshirë 332 persona të zhdukur.