Arbëri

Propozohet rritja e shpenzimeve të qirasë për diplomatët

Descriptive Text

Shpenzimet e buxhetit të shtetit do të rriten nëse hyn në fuqi një udhëzim i ri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëpërmjet të cilit rritet limiti i lejuar në shpenzimet për qiratë e diplomatëve dhe misioneve diplomatike e konsullore. Në MPJ nuk kanë treguar nëse do të miratohet propozimi i Komisionit të themeluar për draftimin e udhëzimit. Çështja e shpenzimeve të qirasë ka shpërfaqur pakënaqësitë mes diplomatëve, disave prej të cilëve u ka kushtuar edhe me shkarkim nga misionet ku kanë qenë

Ministria e Punëve të Jashtme synon rritjen e shpenzimeve në qira për objektet e banimit të diplomatëve, nëpërmjet ndryshimit të udhëzimit administrativ, i cili i ka shkuar ministres për nënshkrim.

Një komision i themeluar për draftimin e udhëzimit, e ka miratuar atë, një kopje të të cilit e ka siguruar “KOHA”. Rritja e limitit është arsyetuar me çmimet bazë në vendet ku ndodhen misionet diplomatike.

“Me rastin e përcaktimit të limiteve të qirasë kemi marrë për bazë çmimet aktuale të qirasë në secilin prej vendeve ku ne kemi misionet tona. Meqenëse kishim një laramani të çmimeve, ishim të obliguar që të bëjmë ndarjen e vendeve në 5 grupe, në mënyrë që të kemi edhe limite varësisht prej standardit të jetës në secilin prej grupeve”, shkruan në draft propozimin që mban datën 8 mars 2022.

Po ashtu është shtuar edhe mundësia që varësisht prej kërkesave të diplomatëve me familje, t’u lejohet tejkalimi i limitit të qirasë deri 10 për qind për secilin fëmijë deri në moshën 18-vjeçare.

Në grupin e parë ku përfshihen ShBA-ja, Kanadaja, Japonia e Emiratet Arabe për ambasadorin është rritur limiti për 600 euro. Nga 2.400 euro sa është me rregulloren aktuale, propozimi është që të bëhet 3.000 euro. Rritje për 500 euro ka në grupin e dytë, tretë dhe katërt të shteteve që kryesisht janë nga Evropa.

Rritja më e madhe – për konsullin e Përgjithshëm dhe shefin e misionit konsullor

Rritja me e madhe e shpenzimeve është propozuar për konsullin e Përgjithshëm dhe shefin e misionit konsullor. Derisa me udhëzimin në fuqi limiti i shpenzimit është 1.800 euro, sipas propozimit të ri, kjo shumë ngrihet në 2.500 euro.

Dokumenti përcakton edhe vlerën e shpenzimeve të lejuara për dreka dhe darka zyrtare në baza mujore për misionet diplomatike. Limiti në ambasada në grupin e parë është 1.000 euro për muaj. Në konsullata të përgjithshme limiti është 800 euro, kurse në konsullata 600 euro.

Sa u përket shpenzimeve të tjera, Shefi i Misionit Diplomatik dhe i Ngarkuari me Punë i kanë në dispozicion deri 100 euro për shpenzimeve e telefonisë mobile; Shefi i Misionit të Konsullatës së përgjithshme 80 euro e diplomatët e tjerë 30 euro.

Grupi punues ka propozuar që disa përgjegjësi të cilat aktualisht janë të Sekretarit të Përgjithshëm të barten te ministrja, krejt kjo me qëllim që aprovimet e tejkalimeve të ndryshme të kenë përjashtime dhe të bëhen vetëm kur ministri/ministrja e vlerëson të arsyeshme dhe domosdoshme.

Grupi që ka punuar në miratimin e udhëzimit të ri, në draft ka shkruar se është në pritje të zyrës ligjore për ta verifikuar nëse juridikisht është në rregull Udhëzimi Administrativ, para se t’i dërgohet për nënshkrim ministres. Në MPJ nuk kanë treguar nëse ministrja e ka nënshkruar udhëzimin e ri, as nuk kanë ofruar sqarime për arsyeshmërinë e rritjes së shpenzimeve.

Përplasjet rreth qirave

Çështja e shpenzimeve ka shkaktuar edhe përplasje brenda MPJ-së në të kaluarën, pasi diplomatët janë ankuar se po aplikohen standarde të dyfishta. Madje në rastin e tërheqjes së diplomatit Viskont Jakupi nga misioni në Londër brenda 24 orëve, si arsye është përmendur çështja e banimit.

Ministrja Donika Gërvalla e kishte kualifikuar shkelje të ligjit për shërbimin e jashtëm dhe ‘të pavërtetë të patolerueshme”, një deklaratë që lidhej me çështjen e shpenzimit të qirasë.

“KOHA” ka raportuar se e pavërtetë është konsideruar pasaktësia në përllogaritjen e kilometrave të cilët i ka specifikuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër në emër të diplomatit Jakupi.

Në komunikimet mes diplomatit Jakupi, zyrtarëve të Ambasadës në Londër dhe atyre në MPJD ishin shpërfaqur pakënaqësitë. Në letrën që ish-shefja e misionit në Londër, Arrita Gjakova i dërgoi ish-ushtrueses së detyrës së Sekretares, Elmaze Pireva, ia rikujtoi se deri tash në Londër çdo diplomat e ka tejkaluar limitin për shumën e qirasë.

“Për të mos e tejkaluar kompetencën time lidhur me çështjen në fjalë, ju lusim që në të ardhmen e afërt të mos ketë zbatim të standardeve të dyfishta për lejimin e tejkalimeve të limiteve, andaj inkurajoj strukturat vendimmarrëse në MPJD që të ndryshojnë UA sa më shpejt që është e mundur, sepse NE, diplomatët e karrierës, jemi të gjithë të informuar mirë dhe të sprovuar me këso lloj veprimesh, ndër vite dhe besa shumë të zhgënjyer”, kishte shkruar Gjakova, e cila para disa javësh u shkarkua nga ministrja Gërvalla.

Përveç zhgënjimit, Gjakova e pati përmendur edhe luksin ambasadave që veprojnë në shtetet e rajonit e që kanë kosto më të ulët jetese.

“Në Londër diplomatët nuk jetojnë në luks, derisa në rajon i afrohen luksit. Me limitin prej 1500 euro në muaj, e qe sot janë 1.265 funte, nuk mund të gjesh banesë në Londër, as në zonën e tretë (jo e lejuar për banim të diplomatëve)”, kishte shkruar Gjakova në adresë të ish-zëvendëssekretares, Elmaze Pireva.

Kësaj të fundit gjatë katër vjetëve sa kishte shërbyer në Londër i ishte lejuar tejkalimi i shpenzimeve për qiranë. Për çdo muaj, Pireva ka paguar rreth 2100 euro, që i bie rreth 600 euro më shumë.

Pireva kishte thënë se, tejkalimi ka ndodhur mbështetur në Udhëzimin e vitit 2012, “ i cili i kishte dhënë sekretarit të përgjithshëm kompetenca që në qendrat botërore ku kostoja e jetesës i tejkalonte limitet e vendosura me udhëzime administrative, t’i lejonte tejkalimet e limitit”.