Arbëri

Opozita kërkon të sillet sa më parë në Kuvend rishikimi i buxhetit

Deputetët e partive opozitare po kërkojnë që rishikimi i buxhetit të shtetit të sillet sa më parë në Kuvend, raporton Ekonomia Online të shtunën.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se buxheti aktual është më shumë konsumues sesa i orientuar drejt zhvillimit. Madje, sipas Selmanajt është vonë që në muajin qershor ose korrik të vijë rishikimi i buxhetit në Kuvend.

Ish-zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria duhet të ndërtojë politika ekonomike, dobitë e së cilës mund të jenë afatgjate.

“Rishikimi i buxhetit në muajt qershor dhe korrik mund të na vijnë në Kuvend. Kjo Qeveri nuk ka plan si t’i adresojë shumë çështje dhe tani nxjerr instrumente populiste të pavlera për të shpërndarë ka 100 euro për qytetarë. Qeveria duhet të ndërtojë politike ekonomike të cilat dobitë e asaj politike të jenë jetëgjate. Ky buxhet nuk është i orientuar drejt zhvillimit të Kosovës. Më tepër është buxhet konsumues sepse po duhet me marr kredi për skema sociale që i bie është Qeveri pa organizim, pa plan dhe Qeveri pa politika të qarta zhvillimore për këtë vend”, ka thënë Selmanaj.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë se duhet që sa më parë të ridestinohen mjetet në investime zhvillimore.

Sipas tij, duhet buxhet për sigurinë e vendit, zbatimin e Ligjit të pagave dhe rimëkëmbjen ekonomike të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Ne në parim ende nuk kemi parë draftin e planifikimit. Do të duhej të vinte shumë më herët rishikimi buxhetor dhe do të duhej të ridestinoheshin mjetet në situata të investimeve reale zhvillimore. Do të duhej të kishim buxhet të qartë për sigurinë e vendit për shkak të agjendës që kemi linja të forta buxhetore që i përgjigjen situatës së sigurisë. Një buxhet që do të plotësonte kërkesat sociale e në këtë rast do të duhej të kishim buxhet i fillimit të zbatimit të Ligjit të pagave dhe do të duhej të kishim buxhet që do të ndihmonte rimëkëmbjen ekonomike te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kemi bllokim total të gjitha projekteve dhe shpërndarje të parasë kesh qoftë në sektorin e energjisë qoftë në sektorë të tjerë siç është çështja e paketës 100 milionësh. Paratë po shpenzohen efektet ekonomike janë zero. Ne kemi pritur se do të kemi investime të mëdha në sektorët prodhues të cilët nuk po ndodhin në këtë vit të qeverisjes Kurti asnjë veprim investues në ndërmarrje publike e as në sektorin privat”, ka thënë Shala./EO