Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka thënë se politika e tërheqjes së kursimeve nga Trusti Pensional është rrezik të bëhet shprehi. Hasaj thotë se kjo mund ta dëmtojë qytetarin ta jetojë një jetë të dinjitetshme pas pensionimit, pasi kontributet e tyre në Trust nuk janë të kënaqshme.
“Edhe në vitin 2020, kur janë tërhequr 10% e Trustit, ne si Institut e kemi paraparë si rrezik që të paraqitet përsëri, të bëhet shprehi. Kosova ndër vite ka zhvilluar disa rregulla fiskale, që nuk e lejon Qeverinë të shpenzojë më shumë sesa ka të hyra, të mos rrisë pagat me veprime populiste. Këto kanë një qëndrueshmëri për kushdo që vjen në pushtet. Edhe filozofia e Trustit është e njëjtë, pasi kontributet e qytetarëve nuk duhet të preken që ata kur të dalin në pension të ketë një jetë të dinjtetshme. Në të ardhmen, një qeveri mund ta përdorë këtë si precedent dhe mund t’i shpenzojë paratë e Trustit diku tjetër, jo t’i ndihmojë qytetarët. Pra, nëse mësohemi t’i prekim paratë e kursimeve. Në gjendjen aktuale, kontributet e qytetarëve në Trust nuk janë të kënaqshme. Nëse ne e zbrazim fondin e kursimit, do të bëheshim barrë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Hasaj në “60 Minuta” të KTV-së.
Hasaj ka thënë se me tërheqjen e Trustit, do të rritej kërkesa e konsumit, gjë që sipas tij, nuk do të ndihmonte në stabilizimin e çmimeve të produkteve bazë.
“Në aspektin ekonomik, ne si Kosovë jemi importues të pothuajse shumicës së produkteve bazë të cilave u janë rritur çmimeve. Tani, rritja e konsumit të brendshëm nuk do të ndihmonte në stabilizimin e çmimeve të këtyre produkteve”.
Sipas Hasajt, Qeveria duhet të përgatisë një plan që t’u ndihmojë vetëm kategorive të nevojshme.
“Qeveria duhet t’i mbështesë personat që kanë gjasa të bien në varfëri, atyre me asistencë sociale. Kjo është kategoria që ka nevojë për ndihmë”, ka thënë ai.
Ideja e tërheqjes për herë të dytë të mjeteve nga Trusti nuk i ka pëlqyer Qeverisë, që ka dalë kundër kësaj politike. Megjithatë, deputetët e opozitës kanë premtuar që do të bëjnë gjithçka që kjo kërkesë të votohet në Kuvend, siç e konsiderojnë ata, një kërkesë të domosdoshme të qytetarëve.