Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, deklaroi se Bashkimi Evropian e përshëndeti të enjten reagimin e Kosovës pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve, ndërsa e kritikoi Serbinë për mossanksionim.
Palokaj deklaroi se BE-ja ia kërkoi Serbisë të vendosë se në cilën anë dëshiron të qëndrojë, derisa tha se në takimet e sotme të BE-së me përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë, pati thirrje që kosovarëve t’iu përfundohet procesi i liberalizimit të vizave.
“U tha që BE-ja të jetë besnike ndaj premtimeve të veta, ndërsa përfaqësuesi i Komisioni Evropian tha se vazhdojë të mbajë qëndrimin se Kosova i ka përmbushur kushtet. Pati thirrje nga deputetët që Serbia t’i ndërpresë glorifikimet e kriminelëve të luftës, pasi shihet si problem pajtimi me fqinjët dhe stabiliteti i rajonit”, deklaroi Palokaj.
Ai shtoi se raporti i sotëm i punuar nga pala kosovare dhe ajo serbe për çështjen e targave, do të shkojë për votim në qershor të këtij viti, ndërsa në formë të rezolutave nga BE-ja do të votohet në korrik.
“Mësohet se gjasat janë të vogla të ketë marrëveshje për çfarëdo teme sot. Nuk pritet marrëveshje sot për çështjen e targave. BE-ja tha se me lehtësi u identifikuan disa ide për targat, por që iu takon palëve të takohen me to”, tha ai.
Sipas Palokajt, në takime me përfaqësuesit e BE-së, pala kosovare ka kërkuar që pas ditës së sotme të zbatohet parimi i reciprocitetet me Serbinë në çështjen e targave, pasi kjo ka qenë pikënisje e dialogut ku është kërkuar zgjidhja.
“Pala serbe ka qenë ajo që ka qenë më pak e interesuar për ndonjërën prej këtyre çështjeve, si njohja e targave nga të dyja vendet. BE-ja do që këto takime t’i shfaqë si suksese e jo si dështime. Aktualisht po përgatitet për një takim të nivelit më të lartë”, pohoi ai.
BE-ja do që të mos ketë tensione në Kosovë, si vitin e kaluar për targat në veri.