Arbëri

Nagavci nuk pajtohet me moton e nxënësve protestues “S’po shkohet në shkollë”

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka quajtur të papranueshme moton “S’po shkohet në shkollë” me të cilët nxënës e studentë të martën kanë protestuar në shumë komuna të Kosovës.

E ftuar në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Nagavci ka thënë se pajtohet që nxënësit të kërkojnë arsim më cilësor, por nuk pajtohet me rebelizmin që bëjnë me thirrjet e tyre.

“Motoja ‘S’po shkohet në shkollë’, për mua është e papranueshme dhe si ministre e Arsimit e kuptoj dhe e mirëpres aktivizmin e të rinjve tanë për arsim më cilësor e ambiente të sigurta e miqësore për ta. Ky aktivizëm tregon se rinia jonë është e vëmendshme për temat që ndikojnë në zhvillimin e tyre. Me moton nuk pajtohem pasi ka pasur mundësi të reagojnë ndryshe”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se motoja me të cilën kanë protestuar të martën nxënësit nuk ka të bëjë me çështjet të cilat ata i kanë adresuar në të vërtetë gjatë këtij organizimi.

Ajo ka thënë se siguria në shkolla është çështje që kërkon trajtim multidiciplinor.

“Jemi duke punuar në mbështetje të mësimdhënësve dhe të nxënësve, me gjithë investimet tona. Buxheti për arsim është rritur për 12 për qind, kemi një mbështetje të të rinjve tanë për mbi tre mijë bursa, po punojmë shumë dhe me intensitet të shtuar në aspektin e përmirësimit të legjislacionit. Jemi në finalizim të ligjit për tekstet dhe mjetet mësimor, ligjin për edukimin e hershëm dhe ligjin për arsimin e lartë. Çështja e sigurisë në shkolla është çështje që kërkon trajtim multidiciplinor, si ministri kemi punuar edhe këtu duke rritur stafin profesional duke përfshirë profesorë e pedagogë”, ka thënë Nagavci.