Arbëri

Përfaqësues të FMN-së kundër tërheqjes nga trusti

Tërheqja e re nga Trusti, 27.04.2022

Politikë jo të mirë e kanë quajtur përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar idenë e partive opozitare në Kosovë që qytetarëve t’u mundësohet edhe një tërheqje nga Fondi i Kurimeve Pensionale. Stephanie Eble, përfaqësuese rajonale e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Ballkanin Perëndimor, dhe Si Guo, ekonomist i FMN-se për Kosovën, kanë thënë se një tërheqje e re nga Trusti do të ishte më e dëmshme sesa që do t’i kishte përfitimet.

Në një opinion të publikuar në KOHA.net, ata kanë thënë se tërheqja e parakohshme e kursimeve pensionale do ta dëmtonte rëndë sistemin pensional të cilin e kanë cilësuar si të mirëmenaxhuar.

Ndër argumentet e tyre, se pse ideja për tërheqje është politikë jo e mirë, është bilanci i vogël që shumë kontribuues kanë në Trust. Sipas tyre, bilanci i shumicës së kontribuuesve është aq i ulët sa që është i pamjaftueshme për të siguruar standard adekuat të jetesës pas pensionimit. Shkallës së ulët të kursimeve ata ia kanë atribuuar normën e ulët tatimore (10 për qind), numrin e madh të punëtorëve joformalë dhe historikun e shkurtër të kontributit.

“Përmirësimi i mjaftueshmërisë së pensioneve kërkon norma më të larta kontributesh dhe përmbushje më të mirë të kontributeve. Lejimi i tërheqjes së parakohshme të kursimeve pensionale do të dëmtonte rëndë sistemin pensional”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, lejimi i tërheqjes do të ishte shembull i keq edhe për të ardhmen.

“Shumica e njerëzve ende mbajnë mend kur, gjatë pandemisë, bartësit e llogarive të TKPK-së u lejuan që në mënyrë të jashtëzakonshme të tërheqin deri në 10 për qind nga bilanci i tyre i pensioneve në dhjetor të vitit 2020. Në atë kohë, ne kemi shprehur shqetësime se kjo masë do të minonte sistemin e pensioneve, meqë mendonim se mund të hapte rrugën për masa të ngjashme në të ardhmen. Ky propozim i ri sugjeron se shqetësimi ynë ishte me vend”, thuhet në letrën e dy përfaqësuesve të FMN-së.

Ata kanë thënë se lejimi i tërheqjes së parakohshme vetëm se do të rriste shpenzimet e ardhshme të Qeverisë duke paralajmëruar se do të rritej presioni për t’u rritur pensioni bazë. Ekonomistët ndërkombëtarë kanë deklaruar se një tërheqje e re nga Trusti do të bënte që çmimet të rriteshin edhe më shumë. Në vend të kësaj ideje, ata kanë thënë se Qeveria duhet të menaxhojë situatën me masa të përkohshme të politikave fiskale.

Ka një kohë që partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, kanë iniciuar kërkesën për një tërheqje të re nga Trusti. Ata kanë propozuar që tërheqja të bëhet deri në 30 për qind të kursimeve. Madje shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, u shpreh i bindur të premten se propozimi për tërheqje nga Trusti do të kalojë në Kuvend. Sipas tij, pro do të votojnë edhe deputetë të pushtetit.

Qeveria këtë javë vendosi që t’i ndajë nga 100 euro për çdo të punësuar në vend, pensionist e student, për muajin prill.

Opinioni i plotë i dy përfaqësuesve të FMN-së: