Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten se është optimist se marrëveshja për targat do të arrihet mes Kosovës e Serbisë.
Sveçla ka thënë se pavarësisht optimizmit, Policia e Kosovës ka tashmë planet e saj se si të veprojë për çdo situatë.
"Grupi ynë i ekspertëve udhëtoi për në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve për të gjetur zgjidhjen apo për të arritur marrëveshjen për çështjen e njohjes reciproke të targave. Jam ende optimist se marrëveshja do të arrihet, ka një qëndrim shumë konstruktiv edhe të ndërmjetësuesit por megjithatë për çdo situatë Policia e Kosovës ka planet e saj se si të veprojë”, është shprehur Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ku kanë njoftuar për sulmet ndaj zyrtarëve të policisë në veri të Kosovës.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, në të cilën është rregulluar çështja e përdorimit të targave, mes Kosovës dhe Serbisë, është arritur në vitin 2011 e finalizuar më 2016. Sipas saj, targat neutrale KS do vlenin pesë vjet, e kjo periudhë përfundoi në shtator të 2021, kur Kosova vendosi reciprocitet në përdorimin e tyre.
Një vendim i tillë, nxiti reagimin e serbëve, të cilët për rreth dy javë bllokuan pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Zhbllokimi i situatës u arritur, vetëm pasi në Bruksel u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, e që ndër tjerash caktoi afatin prej gjashtë muajsh për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat.