Mosfunksionalizimi i Komisionit për Ankesa, me pasoja për kthim në ENQA
Institucionet e arsimit të lartë në vend kanë dërguar ankesa ndaj vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Ato janë adresuar në Komisionin për Ankesa të Agjencisë për Akreditim, mirëpo nuk ka kush t’i shqyrtojë, meqë ky komision ka gjashtë muaj që nuk është funksional. Megjithëse konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve është mbyllur para më shumë se një muaji, MASHTI ende nuk i ka emëruar anëtarët e rinj. Për këto vonesa, kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ardian Gola, ka thënë se kjo situatë, sipas tij, alarmuese, mund të sjellë pasoja në lidhje me kthimin e synuar në ENQA
Komisioni për Ankesa i Agjencisë Kosovare të Akreditimit ka pranuar tetë ankesa në fillim të muajit prill nga institucionet e arsimit të lartë në vend ndaj vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Ankesat u adresuan në Komision, pasi KSHC-ja ka nisur procesin e shqyrtimit të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit në nivel të institucioneve dhe programeve studimore.
Mirëpo këto ankesa nuk janë duke u shqyrtuar, pasi ky komision ka 6 muaj që nuk është funksional për shkak të dorëheqjeve të dy anëtarëve të përhershëm.
E gjithë kjo mund të sjellë pasoja në vlerësimin e ardhshëm që pritet t'i bëhet Agjencisë nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), që pati përjashtuar Kosovën nga gjiri i saj më 2019 për “mosplotësim të kritereve evropiane dhe ndërhyrje politike”. Synim i Kosovës është kthimi në ENQA.
Megjithëse konkursi për zëvendësimin e këtyre dy anëtarëve është mbyllur më 28 shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që është përgjegjëse për formimin e komisionit përzgjedhës, ende nuk ka arritur t’i emërojë dy anëtarët e rinj.
Për t’u funksionalizuar, komisioni duhet t’i ketë 5 anëtarë. Tre anëtarë të përhershëm dhe dy rezervë. Tash për tash, komisioni në përbërje ka një anëtar të përhershëm dhe dy rezervë.
Anëtari i përhershëm në këtë komision, Muhamet Qerimi, ka konfirmuar se nuk janë duke i shqyrtuar ankesat. Ai shtoi se këtë javë do të takohen me zyrtarë të Ministrisë për të diskutuar në lidhje me këtë situatë.
“Nuk është funksional, nuk jemi duke i shqyrtuar ankesat. Javën tjetër do të takohemi me drejtorin e AKA-së dhe me Zyrën Ligjore të MASHTI-t dhe të shohim për hapat tutje”, ka thënë Qerimi në fundjavë.
Për vonesat në përzgjedhjen e dy anëtarëve të komisionit, MASHTI nuk ka treguar arsyet. Ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për epilogun e konkursit.
Sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për Arsim, Ardian Gola, vonesat në funksionalizimin e Komisionit për Ankesa mund ta penalizojnë AKA-në në vlerësimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
"Sigurisht, ky proces i rifunksionalizimit do të përfundojë shumë shpejt, përndryshe në vlerësimin e ardhshëm që pritet t'i bëhet Agjencisë nga ENQA, mund të penalizohemi, kështu që unë po besoj që edhe Agjencia, edhe KSHC-ja janë në një gjendje gatishmërie dhe po e them kushtimisht alarmi, në mënyrë që të jenë sa më efektive në menaxhimin e kësaj kohe", ka thënë Gola.
Për vonesat në funksionalizimin e Komisionit të Ankesave, Gola ka thënë se Këshilli Shtetëror për Cilësi do të raportojë në Kuvend.
"Ne edhe si Komision kur e kemi pasur në raportim Agjencinë e Akreditimit, përkatësisht Këshillin Shtetëror të Cilësisë, e kemi ngritur si shqetësim dhe na është premtuar që do të rifunksionalizohet shumë shpejt Komisioni, shumë shpejt do ta kemi KSHC-në prapë në raportim në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Komisionin Parlamentar për Arsim, dhe aty do të shohim se ku ka mbetur procedura, ashtu që të kemi një komision të rifunksionalizuar të ankesave, sepse është jetik për mënyrën e funksionimit të Agjencisë", ka shtuar Gola.
Më 11 nëntor të vitit të kaluar, Faton Merovci kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të këtij komisioni, derisa Krenare Sogojeva- Dërmaku dha dorëheqjen pasi u zgjodh komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Komisioni i Ankesave i AKA-së është formuar në vitin 2018 me rekomandim të ENQA-s.