Arbëri

Ramaj: VV-ja në shëndetësi është e ndarë në dy taborë

saranda ramaj, latifi, shendetesia

Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e ndarë në dy taborë sa i përket fushës së shëndetësisë. Sipas saj, shihet qartë që nuk ka harmoni mes deputetëve të VV-së dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Madje, Ramaj ka treguar se si në kabinetit e Latifit nuk është asnjë ekspert shëndetësor i Vetëvendosjes, për çka edhe e kritikoi ministrin.

“Kabineti i Latifit është i panjohur për shëndetësinë e Kosovë. As vetë komiteti i shëndetësisë i VV-së nuk i ka njohur ata persona. Nga kabineti shohim që nuk ka asnjë ekspertë shëndetësor të VV-së. Nuk dua të them diçka për ata që janë pjesë e kabinetit, por ministri duhet ta dijë se krahas njerëzve të besueshëm, i duhen edhe ekspertë që kanë përvojë në sistemin shëndetësor të Kosovës, pasi siç dihet, Latifi ka jetuar për 30 vjet në SHBA”, ka thënë Ramaj në “Java Sonte Me Rronin”.

Për punën e Latifit në Ministrinë e Shëndetësisë, Ramaj megjithatë thotë se shenjat e para nuk janë të mira.

“Vizioni i Latifit, sipas bindjes time, është parë që në intervistat e para. Kemi menduar se Latifi po vjen prej një vendi të zhvilluar dhe sado që ka mundur të mbajë kontakt me mjekë, nuk e ka kuptuar sistemin shëndetësor në përgjithësi. Shpresa ime ka qenë që ministri me kalimin e kohës do ta kuptojë realitetin. Tani pasi janë bërë më shumë se 100 ditë, shenjat e para të këtij ministri, nuk mund të flasim për ndonjë sukses apo reformë në shëndetësi. Duket se nuk e ka as në plan reformën. Në ato që i ka prezantuar, janë vështirë të realizuar. Ia njohim kreditet ministrit Latifi për karrierën dhe CV-në e tij të pasur, por a mjaftojnë këto për të qenë ministër i suksesshëm i shëndetësisë? Koha do ta tregojë, por shenjat e para tregojnë se nuk mjafton. Ndonjëherë mjafton të kesh njohje të thella të sistemit dhe të dish ku të intervenosh me emergjencë”, është shprehur Ramaj.