Arbëri

Planifikohet risistemimi i 1600 “mësimdhënësve tepricë”

1.600 mësimdhënës janë më tepër sesa nevoja reale në sistemin e arsimit parauniversitar

Një vlerësim i Ministrisë së Arsimit tregon se në Kosovë janë 1.600 mësimdhënës më tepër sesa nevoja reale në sistemin e arsimit. Për këtë MASHTI u ka bërë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që të mos zëvendësojnë mësimdhënësit e pensionuar pa i analizuar mirë nevojat dhe pa e plotësuar normën e mësimdhënësve që tanimë janë duke punuar.

1.600 mësimdhënës janë më tepër sesa nevoja reale në sistemin e arsimit parauniversitar. Kjo, për shkak të rënies së numrit të nxënësve.

Për këtë, Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje DKA-ve që të jenë të kujdesshme në zëvendësimin e mësimdhënësve që kanë arritur pensionimin, duke iu përshtatur nevojave në sistemin e arsimit.

Sipas tyre, risistemimi i “mësimdhënësve tepricë” është më se i nevojshëm.

Plani i MASHTI-t për këtë është riorganizimi i menaxhmentit të shkollave, që t’u krijojë hapësirë mësimdhënësve që të angazhohen në aktivitete të tjera.

“Me qëllim të përmirësimit të cilësisë në shkolla, kemi plane për riorganizimin e menaxhmentit në shkolla, duke u dhënë rol të veçantë aktiviteteve profesionale. Po ashtu, do të shtohet angazhimi në orët e kujdestarisë, si dhe angazhimi i koordinatorëve të cilësisë dhe këshilltarëve të karrierës. Në këtë formë shtohen edhe mundësitë për angazhimin e mësimdhënësve që mbeten pa normë si rezultat i zvogëlimit të numrit të nxënësve. Nga ana tjetër, u rekomandojmë komunave që të mos i zëvendësojnë mësimdhënësit që dalin në pension pa i analizuar mirë nevojat dhe pa e plotësuar normën e mësimdhënësve që tanimë janë duke punuar”, ka thënë MASHTI.

Njohësit e fushës së arsimit janë kundër reduktimit të numrit të tyre. Ata thonë se procesi i risistemimit të mësimdhënësve është zgjidhja e duhur, por ky proces nuk duhet të fillojë të implementohet pa një analizë të thellë.

“Do të duhej të ishte një proces i menduar mirë dhe gjithëpërfshirës, do të thotë të përfshijë shkollën, DKA-në, MASHTI-n dhe të gjenden alternativat më të mira të mundshme, të cilat nuk do ta cenonin aq integritetin e mësimdhënësve, por njëkohësisht as cilësinë e mësimdhënies në përgjithësi, pra një mënyrë e përfshirjes së gjithë akterëve do të kontribuonte që të gjendet një alternativë për sistemimin e këtyre mësimdhënësve. Sa do të marrë kohë një sistem i tillë i ka sfidat e veta i ka edhe problemet e veta”, është shprehur Petrit Tahiri, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim.

“Ministria e Arsimit, po edhe ministritë e linjës që merren, me këto probleme, duhet të ndërmarrin diçka që vërtet ndikon në përmirësim, për shembull, ende nuk e kemi të rregulluar çështjen e pensionimit të parakohshëm, sepse kemi mësimdhënës që ndoshta me dëshirë do të pensionohen para kohe, për shkak të shëndetit apo pamundësive për të punuar dhe në vend të tyre, të bëhet sistemimi i këtyre të cilët kanë mbetur pa normë”, ka thënë Ismet Potera, drejtor ekzekutiv i Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Në vitin shkollor 2021/2022 kanë vijuar mësimin 14 mijë nxënës më pak se në vitin shkollor paraprak. Ndërkaq, në dhjetë vjetët e fundit, llogaritet se Kosova ka pasur 114 mijë nxënës me pak.