Arbëri

AIP inspektoi 16 biznese, shumica vëzhguan me kamera në kundërshtim me ligjin

AIP inspektoi 16 biznese, shumica vëzhguan me kamera në kundërshtim me ligjin

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka bërë të ditur se gjatë inspektimit në 16 biznese lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ka konstatuar se shumica e tyre kanë bërë vëzhgimin në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

AIP-i ka njoftuar se lidhur me këtë ka nxjerrë ndalimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë, dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi.

“Gjatë procesit të inspektimit, inspektorët e AIP-së, kanë konstatuar se shumica e kontrolluesve kanë aplikuar vëzhgimin me kamera në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke mos plotësuar kriteret e parapara me ligj. Me këtë rast AIP, ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi, deri në datën e pranimit të vendimit”, thuhet në njoftim.

AIP ka bërë të ditur se do të vazhdojë me inspektime dhe kontrolle për të mbikëqyrur ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në të gjithë territorin e Kosovës.