2 perditesime
19:03

Osmani: Serbia po e zvarrit procesin e dialogut, po punojmë për anëtarësime

Majlinda Ibrahimi

Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se Serbia po tenton ta zvarritë procesin e dialogut për ta paraqitur statusin e Kosovës si “proces të papërfunduar”.

Në njëvjetorin e punës së saj, tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme të dialogojnë me Serbinë sa herë që ftohen nga Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes shteteve.

Presidentja konfirmoi se Kosova sivjet do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropian dhe se janë në fazën e fundit të përgatitjeve.

Gjersa tregoi se po ashtu janë duke punuar edhe për anëtarësim në NATO.


“Sa i përket NATO-s e dini që është një proces më i komplikuar dhe vendim me unanimit të plotë. Në NATO janë ende katër shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, kurse hapat tanë janë në radhë të parë për t’u siguruar që të gjitha kriteret për anëtarësim dhe e dyta, që synojmë njëherë anëtarësimin në PFP, Partneritetin për Paqe, aty ku e kemi vendin qe një kohë të gjatë, sepse është për fat të keq që aty janë përfshirë shtete si Serbia dhe Bjellorusia e Lukashenkos, por akoma nuk ka marrë ftesë Kosova për t’u anëtarësuar në PFP”, tha Osmani.

Sa i përket pengesës së qarkullimit të lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, Osmani tha se ka një interes edhe nga liderët e shtetit ballkanik që kjo pengesë të hiqet.

Në këtë konferencë, Osmani pati edhe një mesazh për kryeprokurorin e ardhshëm.


“Megjithatë, më lejoni t’ju siguroj sikurse për çdo emërim tjetër, në veçanti për këtë emërim, integriteti duhet të dëshmohet dhe jo vetëm të flitet për atë, integriteti përgjatë tërë karrierës së personit që do të propozohet, përgjatë karrierës në sistemin e drejtësisë duhet të dëshmohet dhe në këtë drejtim duhet të bashkëpunoj edhe me shoqërinë civile për ta trajtuar brengat që i kanë ngritur, në mënyrë që Republika e Kosovës të ketë një kryeprokuror që drejtësinë dhe vetëm drejtësinë e ka rrëfyes në punën e vet”, tha presidentja.

Osmani, në njëvjetorin e marrjes së detyrës, deklaroi se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ky institucion ka dëshmuar partneritet të besueshëm me SHBA-në dhe vende të tjera.

Të arritura të punës së saj e konsideroi vaksinimin e qytetarëve me vaksinën antiCovid, rritjen e partneritetit me shtetet mike, rreshtimin krah Ukrainës në konfliktin me Rusinë si dhe nisjen e reformave të brendshme në institucione.

15:52

Osmani: Serbia po e zvarrit procesin e dialogut, Kosova e gatshme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaroi se Serbia po tenton ta zvarrisë procesin e dialogut për ta paraqitur statusin e Kosovës si “proces të papërfunduar”.

Ajo tha të hënën para mediave se institucionet e Kosovës janë të gatshme të dialogojnë me Serbinë sa herë që ftohen nga Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes shteteve.

“Institucionet e Kosovës e kanë informuar BE-në se janë të gatshme të marrin pjesë në dialog, sa herë që ftohemi nga BE-ja. Asnjëherë mungesa në dialog s’ka qenë për mungesë të delegacionit të Kosovës. derisa mund të garantojë vullnetin e Kosovës për angazhim për njohje reciproke, s’mund të garantoj si do të sillet Serbia. Sjelljet e tyre kanë treguar se qëndrimi i tyre është që procesi i dialogut të zvarritet”, tha Osmani.

Ajo deklaroi tutje se nëse do të dëgjoheshin kërcnimet serbe, Kosova kurrë nuk do të shpallej shtet.

“Sikur t’i dëgjonim kërcënimet e Serbisë, Kosova kurrë nuk do të shpallej shtet i pavarur dhe sovran. Kosovën nuk do të mund ta rrënojnë kurrë pasi është proces i përfunduar”.

Osmani mbajti konferencë të hënën, në 1-vjetorin e marrjes së detyrës.

15:44

Osmani: FSK-ja ka dëshmuar partneritet të besueshëm me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në njëvjetorin e marrjes së detyrës, deklaroi se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ky institucion, ka dëshmuar partneritet të besueshëm me SHBA-në dhe vende të tjera.

Ajo deklaroi të hënën para mediave, se për herë të parë në histori, trupat e FSK-së kanë zbarkuar me mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, e tani siç theksoi Osmani, po punohet me partnerët amerikanë që misione të tilla të ketë edhe në të ardhmen.

“Është organizuar ushtrimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, ‘Defender Europe 21’, duke e bërë kështu partneritetin tonë edhe më të dukshëm e më funksional me vendet aleate, e në veçanti siç e përmenda, me SHBA-në”, tha Osmani.

E para e shtetit tha se me SHBA-në dhe me vendet e tjera do të vazhdojë bashkëpunimi ushtarak.

“Me SHBA-në dhe shtete të tjera po zhvillojmë diskutimet për intensifikim të bashkëpunimit bilateral ushtarak dhe në çdo vizitë time jashtë vendit, kam iniciuar thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Kjo është e domosdoshme pas zhvillimeve të fundit në Evropë”, shtoi ajo.