Prej 35 inspektorëve të punës sa ka gjithsej Kosova, tetë janë serbë e pesë prej tyre ka rreth pesë vjet që e bojkotojnë punën dhe kanë marrë pagë pa dalë fare në punë. Tek në shkurt të këtij viti, atyre u është ndërprerë pagesa. Këtyre ditëve, për njërin prej tyre është shqiptuar edhe masa e largimit nga puna, derisa për katër të tjerët janë duke vazhduar procedurat disiplinore. Pesë serbët që kanë bojkotuar punën janë të punësuar në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit
Një inspektor i punës nga komuniteti serb është shkarkuar nga puna e katër të tjerë aktualisht janë në procedurë disiplinore. Këta pesë inspektorë të punësuar në kuadër të Inspektoratit të Punës së Kosovës ka rreth pesë vjet që kanë marrë paga pa dalë në punë. Më 31 janar të këtij viti, udhëheqësi i Divizionit për Koordinim të IP-së në regjionin e Mitrovicës ka bërë një kërkesë drejtuar menaxherit të personelit në IP për deklarim në listë të pagave me zero orë punë të këtyre inspektorëve, kërkesë të cilën menaxheri ia ka ushtruar zëvendësuesit të kryeinspektorit të punës, Agim Millakut.
Sipas kësaj kërkese, disa ditë pas, në shkurt, IP-ja ka marrë vendim që ata që nuk kryejnë detyrat e punës, të mbesin në listën e pagave, por të mos paguhen. Por, pavarësisht kësaj, ata kanë vazhduar bojkotin derisa njëri prej tyre, këtyre ditëve, është larguar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor të Inspektoratit, ndërsa katër të tjerët janë në procedurë disiplinore. Në Inspektoratin e Punës janë gjithsej 35 inspektorë, tetë prej tyre janë serbë. Pesë prej serbëve, që kanë bojkotuar punën, janë të punësuar me marrëveshje të veçantë të Brukselit për integrim të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ndërsa tre serbët e tjerë janë punësuar me procedura të rregullta dhe kanë punuar vazhdimisht bashkë me inspektorët e punës.
“Për momentin tre prej tyre, pjesa që janë inkuadruar në formën e rregullt, ata punojnë bashkë me inspektorët e tjerë, por këta 5 që i kemi pasur me marrëveshje, kemi pasur probleme me ta. Për njërin prej tyre veç është nxjerrë vendimi prej Komisionit Disiplinor për procedurë që të largohet nga marrëdhënia e punës dhe katër të tjerë i kemi në procedurë disiplinore”, ka deklaruar Millaku.
Mosdhënien e kontributit në punë, inspektorët serbë e kanë arsyetuar me mungesën e kushteve të punës, se nuk kanë pasur zyrë, makinë për lëvizje në terren, kompjuterë e të tjera për vite me radhë. Por, Millaku ka thënë se edhe pasi u janë krijuar këto kushte vitin e kaluar, ata përsëri nuk i kanë kryer detyrat e punës.
“Pasi veç është marrë një zyrë adekuate për ta vitin e kaluar, janë siguruar pajisjet për zyrë, janë siguruar kompjuterët, tanimë është shuar arsyeja për mospunë për shkak të kushteve të punës. Diku pas shtatorit, e kanë pasur zyrën dhe mjetet, por, ata kanë vazhduar me avazin e vjetër, nuk kanë mbajtur as evidencë për vajtje-ardhje”, ka thënë Millaku.
Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit ka thënë se ka mungesë të theksuar të inspektorëve dhe bojkoti i tyre e ka vështirësuar edhe më tepër punën. Prandaj, ai ka thënë se varësisht vendimit të Komisionit Disiplinor, do të vendoset edhe për rekrutimin e personave të tjerë nëse potencialisht largohen nga puna.
“Nëse merret qëndrimi që të largohen nga puna, atëherë hapet mundësia për t’i përtërirë vendet e punës me persona të tjerë. Por derisa këta janë në procedurë e sipër nuk e kemi atë mundësi veprimi”, ka shtuar ai.
Të tilla bojkote të punës nga komuniteti serb ka pasur edhe në sektorë të tjerë. Ditë më parë Ministria e Arsimit ua ka ndërprerë pagesën 32 punëtorëve të komunitetit serb, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në punë që nga viti 2016.