Arbëri

Alpinisti i albanologjisë

 

Në moshën 84-vjeçare ka vdekur profesori i Universitetit të Münchenit, Peter Bartl. Ai është autor i veprave monumentale mbi historinë shqiptare, mik i Martin Camajt dhe bashkëpunëtor i Arshi Pipës dhe Ernest Koliqit, nxënës i Georg Stadtmüllerit të famshëm dhe mentor i historianit Oliver Jens Schmitt. Peter Bartl do të mbetet një ndër zërat më të shquar të historisë shqiptare. Për jetën dhe veprën e tij flasin historianët Oliver Jens Schmitt dhe Konrad Clewing.

Peter Bartl nuk punonte të mërkurave. Dita e mesit të javës për të ishte dita kur ngjitej në malet dhe alpet e Bavarisë. Ai ishte një alpinist i pasionuar dhe asket i përkushtuar. Nganjëherë ushqim të vetëm e kishte vetëm cigaren dhe një birrë, këtë pije nacionale të Bavarisë. Po aq sa ishte i dashuruar në alpet gjermane, Bartl ishte i përkushtuar ndaj historisë së shqiptarëve, albanologjisë, mbledhjes së materialeve të rëndësishme arkivore.

Me vdekjen e tij në moshën 84-vjeçare u shua njëri nga personalitetet më të rëndësishme shkencore të albanologjisë në hapësirën gjermanofolëse. Bartl lë pas një vepër monumentale, me studimin e së cilës duhet të merren më gjerësisht gjeneratat e ardhshme të historianëve, sidomos në viset shqiptare. Modest, paksa i introvertuar, dijetar që i shmangej çdo polemike boshe, Bartl ishte pafundësisht i koncentruar në punën e tij shkencore. Meqë zakonisht s'punonte të mërkurave, ai këtë ditë e zëvendësonte me të shtunën: kjo ditë fundjave i jepte atij mundësinë të punojë në qetësi në zyrën e tij në Universitetin e Münchenit.