Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione të mërkurën është raportuar për rastet e dhunës nëpër shkolla, si dhe masat e ndërmarra nga ana e institucioneve kompetente.
Në raportim, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se do të rritet numri i inspektorëve të arsimit.
Ajo ka thënë se aktualisht në ministri janë 28 inspektorë të arsimit, duke shtuar se kanë bërë kërkesë për rritjen e këtij numri në 83 inspektorë dhe se kjo kërkesë është pranuar.
“Jemi në rekrutimin e tyre. Zakonisht kemi raste të dhunës nga komunat që janë më të mëdha, por nuk adresohen të gjitha llojet e dhunës. Ka edhe rastet të tjera që janë më të vështira për t’u adresuar siç është pabarazia sociale. Kemi ndarë bursa për grupet që janë më të cenueshme, po ashtu t’i përfshijmë në aktivitete”, ka thënë ajo.
Nagavci ka njoftuar se gjatë periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla.
"Ndonëse janë bërë hapa pozitivë në raportimin e dhunës në shkolla, ka ende të dhëna që nuk janë të raportuara. Gjate periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla", ka thënë Nagavci.
Koordinatorja nacionale Kundër Dhunës në Familje, Nita Shala ka thënë se “Hartimi i strategjisë për mbrojtjen nga dhuna në familje ka qenë ndër prioritete e saj.
Ajo ka thënë se janë mbajtur mbi 20 takime me akterë të jashtëm.
“Kemi një strategji që përmban 140 aktivitete. Parashihet të zbatohen në një periudhë 3-vjeçare. 34 prej tyre veç kanë filluar të zbatohen nga akterët. Mbledhjen e fundit e kemi mbajtur këtë javë, ka qenë pjesëmarrje e plotë e akterëve të përfshirë. Për sa i takon akterëve ndërkombëtarë kemi marrë mbështetje nga ambasada amerikane, janë 40 aktivitete që mbështeten nga ta”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se sfidë mbetët monitorimi i zbatimit të aktiviteteve. Për këtë thotë se ka marrë mbështetje nga Këshilli i Evropës duke e mbështetur me një ekspertë të jashtëm për monitorimin e zbatimit.
“Objektivi i parë ka të bëjë me masat parandaluese dhe edukimin, objektivi i dytë harmonizimi i kornizave ligjore, objektivi tjetër është rritja e koordinimit të institucioneve për rastet e dhunës dhe objektivi i katër është trajtimi i viktimës dhe të kryeseve”.