Komisioni Parlamentar për Arsim dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kanë organizuar të martën në Prishtinë, tryezë me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se raportimi i dhunës në shkolla mbetet ndër sfidat e mëdha.
“Gjatë vitit (shkollor v.j.) 2021-2022 janë 20 raste të raportuara deri më tani. Në krahasim me vitet paraprake kemi rritje te raportimeve. Aktualisht jemi në proces të angazhimit të numrit më të madh të psikologëve e pedagogëve. Me keqardhje e them granti që është ndarë për punësimin e psikologëve është përdorur nga drejtoritë komunale për punësimin e kuadrove të tjera. Në nivel vendi kemi 146 psikologë e pedagogë. Komunat po keqpërdorin mundësinë e tyre dhe po punësojnë staf tjetër”, tha Nagavci.
Kryetari i këtij Komisioni, Ardian Gola, tha se kjo tryezë është e vonuar, derisa përmendi një rast që ndodhi para disa ditëve ku një fëmijë u godit në publik.
“Në vitin 2014, 61 për qind e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike. Më 2020 numrat kanë qenë më të lartë. Në këtë periudhë 5-vjeçare kemi parë rritje shqetësuese të dhunës ndaj fëmijëve”, tha Larissa Brunn nga zyra e UNICEF-it në Kosovë.