Arbëri

Mungojnë infrastruktura dhe mbështetja për personat paraplegjikë e tetraplegjikë

Mungesa e qasjes në objektet shkollore e në institucione, si dhe ajo e asistentëve profesionalë apo edhe mbështetjes financiare, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë. Derisa ata u bëjnë thirrje institucioneve që të punojnë më shumë për përmirësimin e kushteve, drejtori i shoqatës “Handikos” kërkon që shuma e kompensimit aktual të rritet, e assesi të zvogëlohet nëpërmjet projektligjit të ri.

Për t’ia mundësuar hyrjen në shkollë, gjimnazi “Gjin Gazulli” prapa objektit të shkollës ka vendosur një pjerrinë të improvizuar për nxënësit me aftësi të kufizuara. Megjithatë, as ajo nuk është në nivelin e duhur.

17-vjeçari Rijad Mehmeti tregon edhe për infrastrukturën joadekuate të shkollave, me të cilën përballen fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara nëpër shkollat e Kosovës përballen me mungesë të qasjes fizike edhe në hyrje, por kryesisht mungesa e qasjes fizike është te katet e dyta dhe tualetet, të cilat ua pamundësojnë lëvizjen e lirshme fëmijëve me aftësi të kufizuara. Përderisa në shkollë nuk është edhe kati i dytë i qasshëm edhe tualetet, ajo shkollë nuk është komplet e qasshme”, ka thënë Mehmeti nga “Team Rijad”.

Ai përshkruan edhe pengesën më të madhe brenda shkollës, që ka të bëjë me mungesën e asistentëve profesionalë. Për këtë arsye, atij pranë i qëndron gjithmonë shoku i tij.

“Kjo është pjesa ku mungon qasja fizike; është vështirësia ime më e madhe brenda shkollës, ku shokët e mi duhet të më bartin për të shkuar deri lart, sepse karroca ime nuk ka mundësi për të shkuar deri atje”, ka shpjeguar ai.

Telashe të njëjta kanë pothuajse të gjithë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë. Aktualisht, atyre u takon 150 euro kompensim mujor, shumë kjo që nuk e mbulon as gjysmën e shpenzimeve.

Drejtori i shoqatës “HENDIKOS”, Afrim Maliqi, ka treguar se vetëm një pajisje për parandalimin e plagëve kushton 500 euro, pajisje kjo të cilën nuk e siguron shteti dhe duhet të sigurohet prej jashtë.

“Personat me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë shërbim institucional, as nuk marrin medikamente, as nuk marrin pajisje ndihmëse e as rehabilitim e as material për inkontinencë dhe me ato mjete të cilat i marrin aktualisht, atë mbështetje financiare detyrohen t’i blejnë të gjitha, madje edhe ta paguajnë kujdestarin dhe të paguajnë rehabilitimin, e që sot në këto ditë nuk mjaftojnë as ato”, ka thënë ai.

Sipas projektligjit të Ministrisë së Financave, kompensimi financiar nuk do të përcaktohet më në bazë të pagës minimale. Megjithatë, nga kjo ministri nuk është bërë e ditur se si do të bëhet ky kompensim në të ardhmen dhe as shuma e tyre.

Ndërkohë, lidhur me asistentët, Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka hapur konkursin për angazhimin e 100 prej tyre.