Arbëri

AKK-ja procedoi 60 raste për korrupsion, mosdeklarim dhe deklarim të rrejshëm

Deklarimi i pasurise

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) vetëm për muajin shkurt dhe mars të këtij viti, ka proceduar rreth 60 raste në prokurori për korrupsion, mos deklarim dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë së zyrtarëve publikë, ku prej atyre që do të përballen me drejtësinë, bëjnë pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, në një intervistë për KosovaPress, ka konfirmuar se në rastet e dërguara në prokurori nga kjo agjenci, bëjnë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit, siç theksoi ai kryeprokurorë, ministra, drejtorë të policisë, gjyqtarë dhe zëvendësministra.

Buleshkaj bëri të ditur se deri tash rreth 50 përqind e zyrtarëve publikë e kanë deklaruar pasurinë në këtë agjenci, ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë për deklarim.

“Janë diku rreth 60 raste që në këta muajt e parë të këtij viti janë dorëzuar në prokurori. Atë që mund të konfirmoj që janë rreth 40 vetëm në muajin shkurt, ndërsa tash në muajin mars janë edhe diku 20 që kanë kaluar në prokurori për shkelje që ndërlidhën kryesisht për mos deklarim dhe për deklarim jo korrekt dhe jo i saktë. Po, ajo (ministrja Rozeta Hajdari), është një nga këto raste. Te aspekti i deklarimit nuk mund të futemi shumë në detaje, kemi raste potenciale për konflikt interesi si një formë e mundshme e korrupsionit apo shkeljes së ligjit, por atë që mund ta konfirmoj është se ne merremi vetëm me zyrtarët e lartë dhe të gjitha rastet të cilat ne i kemi identifikuar në një formë të shkeljes së ligjit që mund të ketë ndonjë element të mundshëm të korrupsionit janë proceduar në prokurori. Me numër nuk mundem, por si total janë diku rreth 60 raste, qoftë për deklarim, qoftë për arsye të tjera. Neve ligji na e ndalon t’i përmendim emrat, sepse është fshehtësia e hetimeve, të cilën duhet ta bëjë prokuroria, pastaj mund të ndikojmë në hetime. Por, pozita ka edhe të larta, deri te niveli i asamblistit, ka nga niveli i ministrit, ka gjyqtarë, ka kryeprokurorë, ka zëvendësministra, ka këshilltarë, ka drejtorë të policisë, e të tjerë, që kanë të bëjnë me rastet që i kemi dërguar në prokurori”, u shpreh ai.

Buleshkaj ka thënë se deri në fund të javës kanë deklaruar pasurinë rreth 2.500 zyrtarë publikë, nga më pak se 5.000 zyrtarë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

Buleshkaj shtoi se zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë me kohë, deri më 31 mars, bëhen subjekt i veprës penale.

“Ligji është shumë i qartë për ata që vonohen (nuk e deklarojnë) bëhen subjekt i veprës penale, është neni 430 i Kodit Penal, ku mos deklarimi në kohë apo deklarimi i rrejshëm konsiderohet vepër penale. Veç nëse kanë ndonjë rrethanë lehtësuese, objektive e cila do të mund të përjashtonte nga ajo masë, ata automatikisht do të kalojnë në dorën e prokurorisë, që prokuroria dhe drejtësia pastaj do të merret me këto raste. Ligji e parash shumë qartë, ku parasheh periudhën njëmujore për deklarim ose 31 ditë. AKK ka mundësuar t’iu ndihmojë atyre që janë më larg Prishtinës, ata mund të dorëzojnë formularin përmes email-it dhe nuk kanë nevojë që fizikisht të vijnë te ne. E në anën tjetër ata të cilët janë afër duhet të vijnë direkt te ne dhe në kopje fizike ta dorëzojnë”, ka thënë ai.

Deklarimi i pasurisë nga mjekët dhe profesorët që punojnë në institucionet publike nuk ka nisur nga ky vit.

Sivjet për shkak të lirimit të masave për mbrojtje nga virusi COVID-19, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë në formë fizike në AKK, përveç atyre zyrtarëve të cilët janë larg Prishtinës, atyre iu mundësohet të bëjnë deklarimin edhe në mënyrë elektronike, me e-mail./KP