Arbëri

Tërhiqet Vuçiq: Serbët e Kosovës mund të votojnë në Serbi

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, duke votuar në komunat në Serbinë qendrore, pasi që Qeveria e Kosovës vendosi të mos lejojë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas sesionit të dytë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, të martën në mbrëmje, Vuçiq ka komentuar vendimin e Kosovës për të mos lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë. Sipas tij, Kosova ka kërkuar vetëm njohjen e pavarësisë dhe s’ka ofruar asnjë opsion tjetër.

“Ne u pajtuam të përfshinim përfaqësues të Kosovës. U pajtuam që në marrëveshje të përfshinim kërkesën për Kosovën që t’ia mundësojë OSBE-së organizimin e zgjedhjeve dhe të caktojë një zyrtar ndërlidhës të Qeverisë së Serbisë, por asnjëra s’u mjaftoi. Ata kishin problem me formulimin. Donin që Qeveria e Serbisë të bënte kërkesë për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiq. “Kemi pranuar kompromise të panumërta, gjëra të pakuptimta të cilat ata insistuan vetëm që t’ua lejojmë njerëzve tanë të votojnë për këdo që duan, por ata kërkonin vetëm një gjë: Që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por Serbia s’mund ta bëjë këtë”.

Sipas tij, pyetja s’është nëse do të lejohen serbët nga Kosova të votojnë apo jo. Ai ka thënë se kjo është çështje e mbijetesës politike të serbëve të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se është hera e parë që s’ka rënë dakord për aktivitetet me përfaqësues të serbëve të Kosovës.

“Kjo s’nënkupton që kemi mospajtime, por jam befasuar nga disa sugjerime të tyre. U kam kërkuar durim dhe kam thënë se do të jem gjithmonë në dispozicion për ta”, ka thënë Vuçiq duke treguar se serbët e Kosovës kanë kërkuar të largohen nga institucionet e Kosovës e madje edhe që 435 policët të largohen nga Policia e Kosovës.

“Zakonisht ishin pro qëndrimit në të gjitha institucionet. I kam pyetur se çka do të ndodhte nesër po që se do ta bënim këtë. Jam i frikësuar se kjo do të çonte në luftë. Dhe prandaj kam kërkuar për durim shtesë për të vazhduar bisedimet kah 8 prilli. Do të vazhdojmë të diskutojmë për zgjedhjet, ka disa opsione, po përgatisim qendrat e votimit në komunat më të afërta në Serbinë qendrore, vetëm për serbët nga Kosova”, ka thënë ai.

Të martën gjatë ditës, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje për vendimin e Kosovës që të refuzojë propozimin e vendeve të QUINT-it për votimin e serbëve në territor të saj.

Më 3 prill, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale për disa komuna, përfshirë Beogradin.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë, nëpërmjet së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Ndërkohë, një ditë më parë, Mali i Zi e ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Serbisë për hapjen e tri qendrave të votimit për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato ishin mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat, të cilat më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë.

Një praktikë e tillë është krijuar nga viti 2017 dhe autoritetet e Kosovës kishin lejuar një gjë të tillë.