Shumë qytetarë nga Ukraina që janë larguar nga vendlindja për shkak të pushtimit rus kanë vendosur të kthehen, ka raportuar të hënën e dërguara e posaçme e KOHËS për luftën e Ukrainës, gazetarja Saranda Ramaj. Në ditën kur arriti të hynte në territorin e Ukrainës, Ramaj ka shpjeguar rrugën që bëri nga Polonia në Lviv dhe rrëfimet që ka dëgjuar në ditën e ngarkuar. Kthimin shumë qytetarë po e bëjnë për të marrë familjarët që i kanë lënë, por shumë po kthehen sepse nuk mund të durojnë të rrinë jashtë shtetit të tyre.
Në një lidhje direkte për Interaktiv të KTV-së, Ramaj ka thënë se kalimi i kufijve ishte bërë më i lehtë pas këshillave të vullnetarëve. Këshilla ka qenë që kufiri të kalohet në këmbë për shkak të “lehtësirave kufitare”. Dhe këtë e ka bërë Ramaj që me pasaportë të Kosovës arriti të futej në territorin e shtetit që s’i njeh dokumentet e Kosovës.
“Janë disa lloj kufijsh, pika kufitare, disa më të lehta e disa më të rrepta. S’kam prezantuar diçka të rreme, por pasaportën time, diçka të Kosovës. s’pati reagim, por pati shumë pyetje se përse po shkoja e përse tash në kohë krize, e ju tregova se si gazetare po shkoj pikërisht për shkak të situatës së krizës. Vetëm ma vulosën pasaportën. Më pas ishte problemi që të gjeja autobus sepse s’kishte”, ka thënë ajo duke treguar se pjesën më të madhe të rrugëtimit e ka bërë në këmbë.
Ajo ka bërë të ditur se kontrollet më të mëdha në kufij kanë qenë për veturat private. Për hyrjen me pasaportë të Kosovës, Ramaj ka thënë se fokusi kryesor është tek ID-të e gazetarëve.
“Kam vulë në pasaportë, kam hyrë në mënyrë të ligjshme. S’do ta bëja po të mos ishte ashtu. Më është kontrolluar ID-ja dhe me këdo që kam biseduar e kam treguar se jam e Kosovës. S’më ka rënë të bisedoj me policë, por në ID shkruan që jam nga Kosova dhe s’kam pasur problem”, ka treguar Ramaj.
E dërguara e posaçme e KOHËS është vendosur në Lviv, qendrën më të madhe madhe ukrainase në perëndim të shtetit. Në afërsi të këtij qyteti, Ramaj ka thënë se e ka vënë re efektin e luftës dhe situatën e tensionuar.
“Për habinë time sepse s’e kam ditur, ishte garë për të zënë vend në hotele apo apartamente sepse një pjesë e madhe e refugjatëve që vijnë nga qytetet e shkatërruara tashmë, një pjesë e tyre s’e kanë zgjedhur ta lënë Ukrainën, por janë vendosur në Lviv. Sheh afër furrave, restoranteve e qendrave tregtare numër të madh njerëzish në radhë”, ka thënë ajo për situatën aktuale.
Autobusët e mbushur plot me njerëz që ktheheshin sërish në Ukrainë kanë mbetur në mendjen e gazetares të hënën. “Ata që kishin braktisur njëherë Ukrainën, po ktheheshin për t’u ndihmuar familjarëve të vet për t’i tërhequr apo për të qëndruar me ta”, ka treguar ajo.
“Për javë të tëra kemi parë valë refugjatësh që lënë Ukrainën për Evropë, por tash po ktheheshin prapa”, ka shtuar Ramaj.
Lvivi është përcjellë të hënën me më shumë sirena e alarme që ngrihen në rast të rrezikut eventual. Në tërësi për një ditë janë dëgjuar shtatë të tillë, ka treguar Ramaj. Teksa me kamerë ka shfaqur pamjet në kohë reale nga Ukraina që gjendet në orë policore gjatë natës, gazetarja ka vënë në pah solidarizimin e madh të popullit ukrainas. Ka thënë se siguria në Lviv duket në nivel.
“Lvivi është korridor i sigurt për kalimin e refugjatëve që vijnë nga qytetet tjera të bombarduara. Duket organizim i mirë i shtetit të Ukrainës. Këto ditë kemi biseduar me refugjatët e Ukrainës dhe duket që politikat që vijnë nga qendra janë përqafuar nga qytetarët. Disa na thanë sot se presidenti Zelensky s’po bën asgjë të jashtëzakonshme sepse vetëm po tregon se si janë ukrainasit në të vërtetë, por ka kujdes e solidarizim të jashtëzakonshëm me njëri-tjetrin”, ka thënë ajo më tej duke treguar se qytetarët e thjeshtë ia kishin tërhequr vërejtjen dhe alarmuar se përse ishte ende rrugëve kur kishin mbetur edhe 15 minuta para se të nisë ora policore.
Rrëfimet e refugjatëve i ka ndarë në dy lloje.
“E zakonshme të shohësh teksa kalojnë kufirin nga Ukraina në Poloni burrat që i strehojnë gratë e fëmijët dhe më pas kthehen, por edhe gra që janë penduar pas largimit nga shteti. Njëra nga to më tha që çka do që të jetë fundi më mirë të jetë në Ukrainë se gjallë e diku tjetër. Janë të bindur në fitore”, ka shtuar Ramaj.
Teksa ka thënë se fëmijët refugjatë që lozin pa vëmendje në këtë krizë të madhe ia kujtonin veten si fëmijë, ajo ka shtuar se kosovarët e kanë më të lehtë raportimin “sepse e dimë si është të jesh në lëkurën e tyre”.