Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin mund ta shpërndajë luftën edhe diku tjetër pasi nuk mund të ulet në tryezën e negociatave vetëm për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas Kurtit, Ballkani Perëndimor është në rrezik, por thotë se populli është bashkë dhe aleancat me Perëndimin, SHBA-në e NATO-n mbesin të pashkëputura.
“Putini gjatë luftës sonë, ka përmendur Kosovën vetëm një herë në muaj. Ndërsa tani e përmend pothuajse çdo ditë duke tërhequr paralele fallse me Krimenë. Ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s më 1999, dëshiron ta keqpërdor rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vet. Jemi të brengosur, por jo të frikësuar. Populli është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Presidenti rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin. Për këtë qëllim, unë kam drojën që do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin dhe invazionin në Ukrainë. E Ballkani Perëndimor është i rrezikuar meqenëse edhe në Ballkanin Perëndimor ka luftë hibride. Sputniku e ka qendrën në Beograd edhe 160 km nga ky vend ku jemi ne sot, në Nish ndodhet e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse me plotë agjentë rusë. Ne brengosemi, por s’jemi të frikësuar”, ka thënë Kurti të premten në konferencën për shtyp me kancelarin austriak.
Kurti nuk pret ndonjë problem për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit në Serbi, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk pret që të ketë ndonjë problem.
“Ne kemi diskutuar për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Kemi diskutuar edhe për raportin me Serbinë. Nuk kemi diskutuar për zgjedhjet që i organizon Serbia. Nuk duam që të ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë pasaportë të Serbisë të drejtën për të votuar. Të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Mund të jetë dikush që dëshiron destabilizim, por këtë nuk do ta gjeni te qytetarët e institucionet e Kosovës.Por edhe nëse, largqoftë, do të ketë ndonjë ekses, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”, përfundoi Kurti.