Policia e Kosovës ka identifikuar 316 kosovarë ndër ta dy sulmues vetëvrasës, 44 femra dhe 28 fëmijë të cilët kanë udhëtuar jashtë vendit për t’iu bashkuar ISIS-it, al-Nusra dhe Ahrar al-Sham.
Kështu u tha në lansimin e Raportit vlerësues i perceptimeve mbi radikalizimin në nivel të komunitetit në Kosovë, i cili u përgatit me mbështetjen teknike të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni në fjalën e tij tha se Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në luftën kundër ekstremizmit dhe se ky sukses vjen edhe si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me organizatat e huaja e në veçanti UNDP-në.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo u shpreh se një çështje e rëndësishme është integrimi në shoqëri i atyre që kthehen në Kosovë pas ikjes për veprime radikale.
“Sa i përket riintegrimit, kjo për UNDP-në dhe për Kosovën është një gjë e rëndësishme. Ju mund të parandaloni ikjet, të bëni punë sociale, të bëni avokim publik por çfarë bëni me njerëzit të cilët kthehen? Në këtë studim, 63% e të anketuarve thonë se do të ndiheshin në rrezik dhe jo të sigurtë dhe do të hezitonin të socializoheshin. Pra, këto janë rastet të cilat i kemi parë në Kosovë. Kur njerëzit kthehen në Kosovë ata mundohen që të socializohen por askush nuk i do ata”, u shpreh ajo.
Në këtë prezantim u konstatua se parandalimi i radikalizimit është sfida më e madhe dhe ajo çka duhet të bëhet në bashkëpunim të të gjithë akerëve së bashku.
Përfaqësuesja e UNDP-së tha se edukimi i të rinjve ka rëndësi prioritare.
Ky hulumtim synon të vlerësojë perceptimet e radikalizimit në nivel të komuniteteve në mbarë Kosovën, rolin e perceptuar të individëve, institucioneve, udhëheqësve, si dhe rolin e perceptuar të ndikimit nga mediat dhe interneti.
Të gjeturat e këtij hulumtimi ndihmojnë në asistimin e hulumtuesve për të prioritizuar rrugët kritike të studimit të mëtejmë dhe udhëzojnë akterët e vendit drejt fushave prioritare strategjike.