Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për luftimin e korrupsionit nga Qeveria Kurti që prej ardhjes në pushtet. Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se qeveria po përcjellë rrugë të butë në raport me të.
“Besoj se qeveria është duke përcjellë një rrugë shumë të butë në raport me këtë. Mendoj që modelet kur zgjedhen, zgjedhen në varësi të ambientit. Nëse në Kosovë kemi pasur vëllezër të presidentëve që sektorët financiarë i kanë kontrolluar me vite dhe janë bë milionerë, atëherë duhet të bëhet ajo që mjetet, vlerat që i shërbejnë strukturës së korruptuar për ta çuar tutja korrupsionin, duhet të merren”, ka thënë ai.
Zogiani theksoi se sa i përket korrupsionit në vend, VV-ja nuk ka qenë shumë e ashpër në retorike. Ai tha se sektorin publik e kanë kontrolluar disa familje në Kosovë.
“Mendoj që VV-ja nuk ka qenë edhe në retorikë aq e ashpër, agresive. Do ta definoja jo si korrupsion por si kuazimafie, sepse disa familje kanë kontrolluar sektorin publik, ndoshta s’janë marrë me drogë, por me manipulim të buxhetit. VV ka qenë goxha e kujdesshme, nuk ka përdorur terma të ashpër. Për qe ka pasur rrjedhje masive të parasë publike, ka pasur”, tha ai.
Sipas tij, në një vend ku “20 vjet mbizotëron korrupsioni dhe përzierja e krimit me politikë është e pamundshme të luftohet kjo marrëdhënie përveç me veprime të tilla, ndonjëherë arbitrare me pasurinë, jo domosdoshmërisht me persona”.
Zogiani: Qeveria të rrisë numrin e inspektorëve dhe të reformojë Inspektoratin
Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se veprimet që duhet të ndërmerren nga ekzekutivi janë rritja e numrit të inspektorëve dhe reformimi i Inspektoratit.
I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Zogiani ka folur edhe për luftimin e korrupsionit për çka ka thënë më e rëndësishmja është që të luftohet në fushën e Policisë, më pas në Prokurori dhe Gjyqësi.
“Numri i inspektorëve duhet të shtohen dhe Inspektorati duhet të reformohet. Ne e kemi pasur premtim shtimin e numrit të inspektorëve, por më urgjente e shoh përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese sepse shumë prej tyre e kanë lejuar këtë të ndodhë. Është shumë zor të bëhet dallim sa i përket korrupsionit, pardje doli raporti që udhëheqësi i bordit veturën e tij e ka shitur te një sallon automjetesh dhe të njëjtën e ka blerë ndërmarrja që e udhëheqë ai. Pothuajse gjithkund ka korrupsion. Më e rëndësishmja është të luftohet korrupsioni në Polici, edhe në prokurori dhe gjyqësi do të ishte e rëndësishme”, ka thënë ai.