Arbëri

Fakulteti i Bujqësisë afër përfundimit, alarmohet për rrezik nga largpërçuesi

Pas gati një dekadë punimesh në objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, studentët këtë tetor pritet që ligjëratat t’i ndjekin në salla të reja.

Por, krahas hetimeve që po zhvillohen mbi procedurat e prokurimit, dekani i Fakultetit, Badri Dragusha, ka shprehur edhe një shqetësim. Ai alarmon mbi rrezikon nga një largpërçuesi i tensionit të lartë që ndodhet pranë objektit të ri.

“Jemi të rrezikuar edhe ne personeli, edhe studentët, të gjithë ata që defilojnë aty, kështu që e kemi pasur parasysh edhe këtë dhe besoj se kjo punë do të përfundojë me sukses”, tha Dragusha.

KOSTT-i ka nën menaxhim largpërçuesit e tensionit të lartë. Në këtë institucion thanë se i kanë lëshuar kushtet teknike, sipas të cilave mund të ndërtohej në distancë së paku 7 metra nga largpërçuesi.

“Këto kushte më pas duhet të respektohen nga autoritetet përkatëse me rastin e lëshimit të lejes ndërtimore nga institucioni kompetent dhe gjatë ndërtimit nga ana e punëkryesit. Në rastin të cilit ju i referoheni, kriteri i kërkuar për këto raste është 7 metra distancë nga projeksioni horizontal i përçuesit të fundit”, deklaroi zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami.

Në Rektoratin e Universiteti të Prishtinës thanë se që nga fillimi e dinin rrezikun.

“Menaxhmenti i Fakultetit dhe i Universitetit kanë qenë të njohur për problemet dhe rrezikshmërinë në të ardhmen, në rast se nuk zhvendosen largpërçuesit e tensionit të lartë”, tha Xhevahire Alaj-Shehu, inxhiniere për mbikëqyrjen e projekteve në UP.

Rektorati nuk ka bërë kërkesë me shkrim për zhvendosjen e largpërçuesit, por thanë ta kenë marrë pëlqimin nga KOSTT-i për ta rregulluar këtë çështje. 

Punimet për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, që kanë filluar në vitin 2013, i kanë shoqëruar edhe procese hetimore nga Prokuroria e edhe suspendime zyrtarësh.