Arbëri

IPK-ja pas aksionit të sotëm ku u arrestuan 50 zyrtarë shtetërorë: Veprimet hetimore do të vazhdojnë

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, ka thënë se aksioni i sotëm “Pika”, ku janë arrestuar 48 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe dy të Doganës për vepra penale marrje ryshfeti e keqpërdorim i detyrës, jep mesazh se integriteti i Policisë së Kosovës është prioritet.

Ai ka falënderuar angazhimin e hetuesve të IPK-së.

“Me veprime të tilla për të fuqizuar integritetin e Policisë së Kosovë shtohet besimi te ky institucion”, ka thënë Beka në bisedë për “60 Minuta” në KTV.

Ai ka thënë se veprimet hetimore në këtë rast do të vazhdojnë edhe mëtutje. Ndërsa i pyetur nëse ka pasur rrezik për rrjedhje të informacionit, duke marrë parasysh se hetimet kanë zgjatur afro një vit, ai ka thënë se nuk është operacioni i parë i IPK-së që zgjatë aq shumë.

“Fatmirësisht nuk është rasti i parë që hetohet në afat të gjatë dhe nuk ka pasur rrjedhje të informacionit. IPK-ja edhe më herët ka pasur operacion të ngjashëm ku ishin arrestuar 59 zyrtarë policorë për vepra të ngjashme penale dhe as atëherë nuk kishte rrjedhje informacioni. Me rëndësi është të vazhdohet angazhimi dhe përkushtimi që qytetarët të kenë besim të plotë, siç kanë pasur deri tash, në Inspektorat e po ashtu edhe në Policinë e Kosovës. Veprimet hetimore do të vazhdojnë. Ka akome veprime hetimore që do të merren. Është realizuar një pjesë e arrestimeve, e veprime tjera do të vazhdojnë në konsultim të ngushtë me Prokurorinë e po ashtu me institucionet tjera, përfshirë këtu edhe në bashkëpunim me Shqipërinë. Në këtë fazë të hetimit nuk mund të paragjykojmë nëse do të ketë arrestime tjera. Gjithsesi do të ketë veprime hetimore”, tha Beka.