Dy orë dore, secila në vlerë nga 155 euro, janë blerë nga Ministria e Arsimit dhe u janë bërë dhuratë dy zyrtarëve që kanë mbërritur moshën e pensionimit. Paratë nuk janë mbledhur nga kolektivi, por nga kuleta e shtetit. Në shoqërinë civile, shpenzimet e kësaj natyre i kualifikojnë si keqpërdorim të parasë publike.
Me kuletën e shtetit, Ministria e Arsim ka blerë nga një orë dore për dy zyrtarë të saj, me rastin e pensionimit të tyre. Njëra është e brendit “Espirit”, e tjetra “Pierre Cardin” dhe secila ka kushtuar nga 155 euro.
Në Ministri, orët që kanë kushtuar 310 euro janë cilësuar “dhurata simbolike”, me të cilat vlerësohet kontributi që zyrtarët kanë dhënë përgjatë shumë viteve në këtë institucion.
Por, prej një muaj, në Ministri nuk treguan nëse me dhurata të tilla ishin përcjellë edhe zyrtarët e tjerë.
Në shoqërinë civile, këtë formë shpenzimi e kualifikuan si keqpërdorim.
“Fatkeqësisht shpenzimet e parasë publike shumë raste janë keqpërdorur, marr parasysh edhe blerjen e dhuratave për staf. Një gjë e tillë në qoftë se nuk ka qenë e planifikuar në planifikimin e prokurimit të Ministrisë së Arsimit vërtetë është keqpërdorim i parasë publike, në të kundërtën nuk duhet të ndodhte”, ka thënë Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL.
Në Ministri nuk kanë treguar bazën ligjore, në të cilën janë mbështetur kur kanë blerë dhuratat.
Edhe Mexhide Demolli thotë të mos jetë në dijeni nëse Ministria ka bazë ligjore për shpenzime të kësaj natyre.
“Përderisa kalon në disa procedura të prokurimit, unë do të doja të dija nëse MASHT ka ndonjë rregullore të caktuar që u lejohet ky shpenzim, aq sa unë kam njohuri nuk lejohet një gjë e tillë sepse nëse fillojmë të bëjmë dhurata me para të shtetit stafit me të vërtetë është keqpërdorim”, ka thënë tutje ajo.
Ministria e Arsim për këto shpërblime ka hapur tender në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa pas një jave ishte nënshkruar kontrata me kompaninë “NORD”.
Vlera e kontratës është 690 euro. Përpos orëve të dorës, në të përfshihet edhe blerja e një telefoni fiks.
Në vitin 2017, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte dhënë tender për t’i blerë orë dore si dhuratë ministrit të atëhershëm, Arban Abrashi. Mirëpo, pas raportimit të Lëvizjes FOL për këtë parregullsi, Abrashi nuk e kishte pranuar dhuratën.