Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës.
Propozimin e ka bërë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Bazuar në gjendjen e krijuar, kërkojmë që ta vlerësoni mundësinë që, për arsye humanitare, Qeveria e Republikës së Kosovës ta pezullojë përkohësisht regjimin e vizave për shtetasit e Ukrainës”, është shprehur Gërvalla-Schwarz në mbledhjen e qeverisë.
Shefja e diplomacisë ka thënë se ky vendim do të lehtësoj sadopak gjendjen e qytetarëve të Ukrainës të cilët po detyrohen të largohen nga shteti i tyre.
“Duke iu referuar situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, konsiderojmë se pezullimi i regjimit të vizave ndaj shtetasve ukrainasë do të kontribuonte pozitivisht në hyrjen ose kalimin e tyre transit në territorin e Republikës së Kosovës.” ka thënë ministrja Gërvalla-Schwarz.
Ditë më parë me inicimin e MPJD-së, qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainasë. Kosova po ashtu pritet të pranojë 5000 refugjatë nga Ukraina.
Shtetasve të Ukrainës për të hyrë në Kosovë zakonisht u duhet viza, por ky regjim është pezulluar përkohësisht.