Arbëri

Brenda javës çmimi i naftës u rrit për gati 20 për qind

Vendimi i Qeverisë për caktim të marzhës tregtare për naftë nuk ka frenuar rritjen e çmimeve të derivateve. Brenda javës ato kanë ndryshuar për 19 për qind. Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, këto lëkundje janë shkaku i reduktimit të prodhimit të naftës. Ndërkohë, nga Ministria e Tregtisë kanë heshtur lidhur me këtë lëvizje të çmimeve

Prishtinë, 6 mars - Brenda javës çmimi i derivateve të naftës është rritur për gati 20 për qind. Nga 1 euro e 37 centë sa ishte në fillim të javës, të dielën çmimi i një litre naftë është tregtuar me 1 euro e 63 centë.

Vendimi i Qeverisë për caktim të çmimeve shitëse maksimale nuk ka frenuar lëvizjen e çmimeve.

Ky vendim përcakton që për shitësit me shumicë marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq tek shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Por, nga dita kur ka hyrë në fuqi (3 mars), çmimet kanë ndryshuar për afro 20 centë. Kjo rritje ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.

E Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka heshtur lidhur me këtë. Që nga enjtja ky dikaster qeveritar nuk është përgjigjur se si do të zbatohet ky vendim dhe si janë përcaktuar çmimet shitëse maksimale me shumicë 4 për qind dhe me pakicë 6 për qind.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, më 6 mars, ka arritur në 118 dollarë për fuçi.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se kanë marrë zotim për rishikim të vendimit nga Ministria dhe se do të ndryshohet marzha tregtare.

“Ne jemi për të zbatuar vendimin e Qeverisë me ndryshimet e propozuara që 2 për qind të jetë marzha tregtare për me shumicë dhe 8 për qind me pakicë. Lëvizja e çmimeve ka ndodhur shkaku i lëvizjeve të mëdha në bursa dhe reduktimit të prodhimit të naftës. Ne e pranojmë me vështirësi se me 8 për qind marzhë e fitimit është vështirë të mbijetohet”, ka theksuar Berjani.

Megjithatë, shumica e kompanive të naftës furnizohen në baza javore me derivate.

Por Berjani nuk është përgjigjur se si është e mundur që brenda javës të këtë ndryshime të çmimeve deri në 5 herë.

Ditë më parë Shoqata e Naftëtarëve ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë, duke thënë se me marzhën tregtare të përcaktuar e kanë të pamundur që të funksionojnë. Sipas tyre, kjo do t’i falimentonte këto biznese.

Bislim Muqaj, drejtor i kompanisë “LabOil”, ka thënë se ky vendim nuk e specifikon a është fitimi neto apo bruto.

“Vendimi qeveritar e thekson një paragraf për mbrojtjen e konsumatorit që mendoj se mbrojtja e konsumatorit do të mund të bëhej duke ulur akcizën në këtë lloj krize që po kalon bota shkaku i ngjarjeve mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në bazë të një llogaritjeje që kanë bërë nga stafi del se vetëm shpenzimet e një pompe me pakicë lëvizin nga 8.5 qind deri në 11.5 për qind të qarkullimit.

“Këto janë kosto që i bëjnë shumica e atyre pikave shitëse dhe kjo me 6 për qind nuk i mbulon”, ka thënë Muqaj.

Nga Ministria nuk kanë treguar se si do të zbatohet vendimi i cili do të jetë në fuqi deri më 31 maj 2022.

Përveç vendosjes së marzhës, Qeveria i ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të saj të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, me qëllim të rezervave emergjente.

Për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi janë përgjegjës Ministria e Tregtisë, Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore.

Vendimi i Qeverisë sipas përfaqësuesve të kompanive të derivateve ka edhe paqartësi për mënyrën se si është paraqitur përqindja e marzhës dhe se si do të zbatohet.

Shtrenjtimin e naftës e tregojnë edhe të dhënat e Doganës.

Një ton naftë gjatë muajit janar ka kushtuar rreth 620 deri në 695 dollarë, ndërsa një ton benzinë 685 deri në 710 dollarë.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë pati rritje të ndjeshme të çmimit. Një ton naftë në mars ka kushtuar rreth 860 dollarë deri në 920 dollarë, ndërsa benzina në mes 900 deri në 930 dollarë.

Çmimi i naftës është rritur edhe në vendet e rajonit. Në Shqipëri një litër naftë po tregtohet me çmim 1 euro e 86 centë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut çmimi i naftës është 1 euro e 36 centë.

Ditë më parë në Maqedoninë e Veriut kishin përcaktuar sasinë e shitjes, duke shkaktuar panik te qytetarët.

Por kryeministri Dimitar Kovaçevski ka reaguar menjëherë duke i siguruar qytetarët e atjeshëm se vendi ka sasi të mjaftueshme të derivateve të naftës dhe se në të ardhmen nuk parashihet që të ketë probleme në furnizim.

Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk mund të intervenojë në çmime të naftës, pasi që ato përcaktohen nga tregu.