Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Ballkani Perëndimor është pikë e dobët e Bashkimit Evropian dhe e Evropës në përgjithësi. Sipas tij, hapësirat e hapura në këtë rajon duhet të bëjnë që BE-ja të jetë më proaktive dhe të kthejë dinamikën më pozitive e bashkë me të edhe NATO-ja të jetë më e vëmendshme, pasi që Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Në ditën kur u mbajt takimi i ministrave të NATO-s për situatën në Ukrainë, Osmani ka thënë se kjo organizatë pret që lufta të eskalojë edhe më shumë.
Se a mundet që kriza të depërtojë edhe në Ballkan, Osmani ka thënë se ky rajon është pikë e dobët e Evropës. Ai me këtë rast ka bërë thirrje për pranim të më shumë shteteve të rajonit në NATO, përfshirë Kosovën.
“Sigurisht që Ballkani Perëndimor është pikë e dobët e Evropës apo BE-së. Me çështjet të hapura si ajo kryesisht e Bosnjës dhe natyrisht raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tani kemi edhe dy çështje tjera shtesë janë Shqipëria e Maqedonia të bllokuara në rrugën e integrimit evropian. Lë hapësirë që forcat gjeopolitike me lojtarë në rajon të ndikojnë në eskalim apo faktorët rajonalë. Nga perspektiva jonë është që të ketë siguri e duhet shpejt BE-ja të tregojë proaktivitet për Ballkanin Perëndimor e të kthejë dinamikë më pozitive se që kemi deri tani. Edhe NATO-ja duhet të jetë e vëmendshme. Tri vende të Ballkanit janë në NATO, dhe e kanë ndryshuar dinamikën, dhe duhet të ndryshojë dhe edhe sot e theksova se e mbështes politikën e derës së hapur në rajon si faktor i vetëm për stabilitet të qëndrueshëm”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Osmani ka shtuar se për Kosovën paraqet problem mosnjohja nga disa shtete anëtare të NATO-s, por ka thënë se situata në Ukrainë duhet të alarmojë të gjithë që të mos ketë vakume gjeopolitike.
Për kërcënimin që mund të vijë nga Serbia që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, por që votoi rezolutën që dënon sjelljen e saj, Osmani ka thënë se shpreson që ky të jetë fillimi i një orientimi të ri të Serbisë.
“Mendoj që fakti që Serbia votoi për rezolutën në Kombet e Bashkuara është moment i rëndësishëm dhe kjo tregon që edhe Serbia ngadalë e kupton që e vetmja mënyrë që rajoni të stabilizohet është pranimi i vlerave stabilizuese evropiane. Po qartësohet që kjo luftë në Ukrainë s’ka zona gri. Mendoj që fakti që Serbia votoi kundër Rusisë është një fillim. Shpresoj të vazhdojnë e i tërë rajoni të identifikohet qartë si rajon kundër agresionit të pashoq të Vladimir Putinit që rrezikon rendin botëror dhe integritetin territorial të shteteve të pavarura”, ka thënë ai duke shtuar se Maqedonia dënon çfarëdo gjuhe në mbrojtje të Rusisë.