Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se do të ndërpesë marrjen e mostrave, testimin dhe lëshimin e rezultateve për COVID-19 gjatë të dielave.
Sipas njoftimit, ky vendim është marrë për shkak të përmirësimit të gjendjen epidemiologjike dhe uljes së kërkesave për testim.
“Për shkak përmirësimit të theksuar të gjendjes epidemiologjike me SARS-CoV-2 në Kosovë, përkatësisht uljes së dukshme të rasteve me COVID 19 si dhe uljes të kërkesave për testim për SARS-CoV-2, IKSHPK njofton që pas një periudhe dy vjeçare të punës intenzive, ndërpret marrjen e mostrave dhe testimin për SARS-CoV-2 si dhe lëshimin e rezultateve të testimit gjatë të dielave”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas këtij institucioni, qytetarët e Kosovës mund të testohen në IKSHPK për SARS-CoV-2 me RT PCR nga e hëna deri të shtunën gjatë orarit të punës 08:00 – 14:00.
Numri i rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit ka rënë dukshëm në Kosovë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 69 raste pozitive me koronavirus, nga testimi i 1,552 të dyshuarve se janë të infektuar.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka vendosur për lehtësim të masave, duke e hequr tërësisht orën policore nga 1 marsi dhe duke vendosur që t’i lejojë dasmat dhe klubet e natës nga 7 marsi.