Arbëri

Kurti takon Szunyogun, diskutojnë për luftën ndaj korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa priti në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Qeveria mbetet e përkushtuar për reformën në drejtësi, dhe se vettingun në sistemin e drejtësisë e sheh si procesin më të përshtatshëm që e mundëson atë.

Siç njoftohet nga Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Szunyog gjatë këtij takimi kanë biseduar për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.

Kreu i Qeverisë ka thënë se duhet të mësojnë nga përvoja e Shqipërisë dhe ta vënë atë në shërbim të një vettingu të suksesshëm në Kosovë.

“Ne duam që procesin e vettingut ta bëjmë së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh Kurti, teksa theksoi rëndësinë e partneritetit me BE, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë.

Kurti më tej ka theksuar se angazhimin e Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet komplimentuar me prokurorë dhe gjykatës efektivë, të cilëve nuk u mungon as integriteti e as kompetenca.

Ndërkaq, ambasadori Szunyog nga ana e tij, ka thënë se sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ai tha se pajtohet për nevojën për një sistem të drejtësisë që është efikas dhe i paanshëm.

Ai gjithashtu ka vlerësuar pozitivisht prioritizimin e agjendës legjislative në fushën e antikorrupsionit, sikurse edhe gatishmërinë e institucioneve për të bashkëpunuar me Komisionin e Venecias, sikurse në rastin e projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procesin e vettingut, dhe projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.