Vetëm 7 për qind e konsumatorëve u prekën nga tarifat e reja për muajin shkurt

Rreth 93 për qind e konsumatorëve në bazë të analizave që ka bërë KESCO për faturat e shkurtit, kanë paguar vetëm me tarifat e vjetra. Pra, nuk janë afektuar fare me tarifat e reja të energjisë elektrike. Kjo ka ndodhur pasi KESCO me miratim të ZRRE-së, në faturat e muajit shkurt, më datën 9 shkurt njehsimin e ka filluar nga 0kWh dhe kjo ka bërë që 93% e konsumatorëve të mos preken nga çmimet e reja, sepse konsumatorët nuk e kanë tejkaluar 800kWh, që është njehsuar me tarifat e vjetra, të para datës 9 shkurt.
Por, tashmë ka filluar periudha kur janë në fuqi tarifat e reja, me çmime të reja. Dihet që tashmë, për të gjithë konsumatorët e amvisërisë bllok-tarifa fillon nga shpenzimi mbi 800kWh. Në këto rrethana, lusim konsumatorët të kenë kujdes maksimal në kontrollimin e shpenzimit, pasi për shpenzimet mbi këtë sasi tarifat janë dukshëm më të larta.
