Arbëri

Qeveria përcakton çmimet shitëse maksimale të naftës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur sot, ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë.

Këtë vendim Qeveria thotë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

“Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, tek ata me pakicë deri 6 për qind të shitjes.

Obligohen gjitha deponitë e pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese për qëllimeve të rezervave emergjente.