Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka zhvilluar një takim me drejtorët e drejtorive të arsimit nëpër komuna, ku ka thënë se u diskutua për përmirësimin e performancës, rezultatet në arsim, plotësimi i zbrazëtirave që janë krijuar nga zhvillimi i mësimit online, bashkëpunimi i shtuar me prindërit dhe partnerët tjerë në fushën e arsimit.
Ajo ka shkruar në Facebook se gjatë këtij takimi kanë adresuar shumë çështje me rëndësi nga fusha e arsimit.
“Biseduam edhe për organizmin e testeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Jemi në vitin kur do të vazhdojë pjesëmarrja në Testin PISA dhe duhet të sigurohemi që të paraqitemi sa më suksesshëm. Sa u përket vlerësimeve kombëtare, Testit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë u dakorduam që ta bëjmë organizmin më të mirë të mundshëm. Jemi në finalizim të Ligjit për Edukimin e Hershëm, Ligjin për Tekstet Shkollore, finalizimin e PSAK-ut dhe një varg dokumentesh të reja, andaj kontributi i zyrtarëve nëpër komuna është tepër i vlefshëm”, ka shkruar Nagavci në Facebook.