Arbëri

Mustafa tregon ç’ka bërë sot në Trieste

Kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa, përmes profilit të vet në Facebook ka njoftuar për aktivitetet që ka zhvilluar gjatë punimeve të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor sot në Trieste, Itali, transmeton Koha.net.

Ky është postimi i tij:

“Mora pjesë sot në Samitin Triestes, ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin qendror ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja Gjermane, Angela Merkel, presidenti i Frances, Emmanuel Macron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete të tjera, theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën integruese evropiane si dhe i njoftova për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e proceseve në Kosovë.

Njëkohësisht, theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera.

Nënshkruam edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj”.