Arbëri

NATO për situatën në Ukrainë: Mbetemi të përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkan

Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë më tej me situatën në Ukrainë, NATO siguron që Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk kanë pse të brengosen, pasi që mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të këtij rajoni.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i KFOR-it, Daniele Riggio, ka thënë se bashkëpunimi i tyre me Bashkimin Evropian në rajon mbetet thelbësor dhe do të vazhdojnë të punojnë bashkë për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbështetur reformat.

“Aleanca Atlantike mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi ynë me Bashkimin Evropian në rajon mbetet thelbësor dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbështetur reformat”, ka thënë ai.

Riggio ka shtuar se KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e përditshëm në mbarë Kosovën të mandatit të tij të OKB-së, për të siguruar një mjedis të sigurt.

“Çdo ndryshim në misionin e KFOR-it do të mbetet i bazuar në kushte”, ka thënë më tej zëdhënësi i KFOR-it.

Ukraina së fundmi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë, e cila do të hyjë në fuqi nga e enjtja e 24 shkurtit.

Pas këtij vendimi, presidenti amerikan, Joe Biden, e ka paralajmëruar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zenensky, se Rusia është duke përgatitur që të bëjë pushtimin e plotë të Ukrainës dhe se brenda 48 orëve të ardhshme do të nisë sulmin.