Arbëri

Certifikatat e vaksinimit të Kosovës me barriera në vendet e BE-së

Krahas Kosovës, nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm edhe Bosnjë-Hercegovina lëshon certifikata që ende nuk njihen si dëshmi e vaksinimit nëpër vendet evropiane. Si rrjedhojë, vizitorët kosovarë detyrohen që, diku me pagesë e diku falas, t’i konvertojnë ato me certifikata që pranohen ndërkombëtarisht

Për t’u qasur në hapësira publike, si restorante, galeri e qendra tregtare të Francës, vizitorët kosovarë duhet të paguajnë nga 36 euro nëpër barnatore për ta konvertuar certifikatën e tyre të vaksinimit kundër COVID-19 të lëshuar në Kosovë me ato që pranohen ndërkombëtarisht.

Kjo, për shkak se certifikatat e vaksinimit të Kosovës nuk janë të standardizuara me ato që lëshohen në vendet e Bashkimit Evropian. Por e njëjta procedurë sikurse në Francë nuk zbatohet gjithkund njësoj. Në Gjermani, ani se është gjithashtu i nevojshëm konvertimi i dëshmisë kosovare të vaksinimit, pagesë për këtë nuk kërkohet.

Qytetarët kanë raportuar për probleme të kësaj natyre edhe në vendet e tjera të BE-së.

Edita Sanaja-Halili, një 44-vjeçare nga Prishtina që para tri javësh ka qëndruar për vizitë në Austri, ka treguar se ka pasur pengesa për të hyrë në shumicën e hapësirave private në këtë vend. Krahasuar me Austrinë, qasjen me certifikatat kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikë e ka cilësuar si më të lehtë.
“Në Austri kemi hasur në probleme me certifikatat e vaksinimit, sepse atje nuk e pranonin këtë të Kosovës dhe s’mund të hynim në asnjë dyqan, as në restorant, as kurrkund. Në Amerikë më lehtë e kemi pasur. Do ta cekja që në një qendër tregtare në Vjenë kanë hyrë në sistem të Kosovës dhe na kanë gjetur, në vendet e tjera nuk na pranonin fare”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë KOHA ka adresuar pyetje në Ambasadën austriake në Kosovë, porse nuk ka marrë përgjigje.

Nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se po punohet në përshtatjen e certifikatës kosovare të vaksinimit, teksa është pranuar se problemet po shfaqen.

“Problemet shfaqen vetëm te qasja në institucionet private të shteteve përkatëse, pasi që certifikata kosovare e vaksinimit nuk ka mundësi që të verifikohet nëse pajisja që e lexon QR kodin e certifikatës kosovare është off-line. MSH-ja ka iniciuar procedurë përmes grantit nga BE-ja për përshtatjen e certifikatës kosovare të vaksinimit sipas rregullave dhe kornizës ligjore të BE-së për certifikatën dhe për njohjen e saj”, ka njoftuar Ministria në përgjigjen për KOHËN.

Kjo ministri po ashtu ka njoftuar se së shpejti pritet që të nënshkruhet një projekt me Komisionin Evropian për këtë çështje dhe se duhen shtuar edhe disa elemente për t’iu përshtatur standardeve evropiane.
Ndërkaq Komisioni Evropian është shprehur i përkushtuar për përfshirjen në sistem edhe të atyre shteteve që kanë mbetur jashtë tij.
“BE-ja që nga fillimi e ka dëshmuar përkushtimin për ta trajtuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si partner të privilegjuar, duke i lidhur ata me mekanizmat e instrumentet e BE-së në kuptimin e COVID-19. Mezi presim që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të lidhen në sistem. Kemi mbajtur takime kërkimore me të gjithë dhe procesi po vazhdon. Ne shpresojmë që më shumë prej tyre të lidhen së shpejti”, thuhet në përgjigjen e KE-së.

Nga ky trup kanë deklaruar se shumica e vendeve të rajonit janë lidhur në sistem vitin e kaluar.

“Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë partner i Ballkanit Perëndimor që është lidhur me Certifikatën Digjitale të BE-së për COVID. Më 15 shtator u lidh edhe Shqipëria, e më 16 nëntor edhe Serbia. Mali i Zi u bë pjesë e sistemit EUDCC më 22 dhjetor 2021”, ka thënë për KOHËN një zëdhënëse e komisionit. Vetëm Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina ende janë jashtë këtij sistemi. Megjithëse MSH-ja e ka paralajmëruar nënshkrimin e shpejtë të grantit të BE-së, nuk ka treguar se kur pritet të përfundojë jetësimi i tij.