Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka uruar qytetarët kosovarë me rastin e festës së Pavarësisë së Kosovës.
Osmani nëpërmjet një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, tha se si fqinjë të afërt që kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe miqësi të sinqertë, do të vazhdojë të punojë bashkë me udhëheqësit e Kosovës për të plotësuar interesat strategjike euroatlantike të të dyja vendeve.
“Nga zemra dua t’ua uroj Ditën e Pavarësisë së Republikës Kosovës, datë e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për tërë rajonin. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësi të sinqertë dhe afatgjatë të bazuar në lidhjet e thella mes qytetarëve të dy vendeve. Si prijës të politikës, obligimi ynë është ta kultivojmë edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellë, për çka jam më se i sigurt se do të vazhdojë me tempon e njëjtë edhe në të ardhmen. Si dy fqinjë të afërt, ne na pret një e ardhme e përbashkët duke plotësuar interesat strategjike euroatlantike të dyja vendeve, përmes së cilave do të forcojmë stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë për të dy vendet dhe rajonin në përgjithësi”, ka thënë ai.
Sot, më 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.