Partia Socialdemokrate e ka cilësuar veprim antidemokratik arrestimin e aktivistëve të saj të hënën në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Nëpërmjet një komunikate të lëshuar sot, kjo parti derisa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, përfshirë edhe kryetarin e saj, Dardan Molliqaj, thotë se ky arrestim përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar.
“Përdorimi i dhunës së shtetit në shërbim të fshehjes së dokumenteve publike është një tregues i natyrës së pushtetit që sot është vendosur në vend. Kjo çështje na prek të gjithëve e sidomos ata që kanë pak. Andaj edhe kundërshtimi është i drejtë”, thuhet më tej në komunikatën e lëshuar nga Partia Socialdemokrate.
Policia thotë se Molliqaj dhe të tjerët penguan zyrtarët në kryerje të detyrës
Policia e Kosovës është deklaruar rreth arrestimit të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve të tjerë të Partisë Socialdemokrate, sot rreth orës 15:00 në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Në komunikatën e saj, PK-ja ka njoftuar se me rastin e pengimit personave zyrtarë në kryerje të detyrës, janë arrestuar 13 persona.
Në këtë njoftim thuhet se policia vazhdimisht u ka bërë thirrje protestuesve që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, por se të njëjtit nuk janë bindur.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej”, thuhet në njoftimin e policisë.