Pozita në institucione paralele lokale mbajnë shumica e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë. Derisa njohësit thonë se ata mund të përballen me ligjin në bazë të Kodit Penal, një nen në Ligjin për vetëqeverisje lokale ia mundëson Qeverisë suspendimin e tyre. Ndërkaq Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka treguar nëse do të ndërmarrë veprime
Pozita të dyfishta mbajnë një pjesë e madhe e kryetarëve në komunat e Kosovës me shumicë serbe.
Në ueb faqet e institucioneve të Serbisë figurojnë emrat e zyrtarëve të Kosovës, të cilët mbajnë poste si në institucionet shtetërore, ashtu edhe në ato paralele.
Kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, është kryetar edhe i institucioneve lokale paralele në këtë komunë. Ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, punon në një institucion tjetër paralel. Ai figuron si drejtor i Drejtorisë së Fondit Pensional Invalidor të Serbisë për Kosovën.
Kryetar i institucioneve lokale paralele në Zveçan është ish-deputeti Ivan Todosijeviq. E kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka pozitë edhe në institucionin paralel shëndetësor, gjë të cilën e ka konfirmuar ai vetë.
“Para se të zgjidhesha kryetar i Komunës së Zveçanit isha këshilltar komunal për katër vjet dhe i kam deklaruar të ardhurat, gjë që mund ta shihni te faqja e Agjencisë Kundër Korrupsionit. E di që secili funksion publik mban përgjegjësi, andaj unë i përmbush të gjitha obligimet ligjore, në bazë të afateve të përcaktuara”, ka thënë Miloviq për KOHËN.
Analisti Dushan Janjiq kujton që Serbia u ka bërë presion serbëve që të bëheshin pjesë e zgjedhjeve lokale në vitin 2013, pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit. Në bazë të saj, zgjedhjet komunale në veri mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare, gjë që, sipas Janjiqit, e nënkupton ndalimin e strukturave paralele lokale.
“Sipas Marrëveshjes së Brukselit, politikanët, pjesëtarët e Qeverisë, ata të Kuvendit, politikanët lokalë, asambletë komunale dhe kryetarët e tyre zgjidhen në bazë të Kushtetutës së Kosovës, sistemit legal të Kosovës. Të mbash funksione paralele në dy sisteme shkon direkt në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Janjiq. Mirëpo lidhur me institucionet paralele të shëndetësisë, arsimit e kulturës, ai ka thënë se nuk vlen i njëjti parim, pasi që për këto fusha nuk ka marrëveshje dhe as shtrirje të dukshme të institucioneve të Kosovës në veri.
Mundësi për përndjekjen penale të zyrtarëve, të cilët mbajnë pozita të dyfishta, e sheh ish-gjyqtari e profesori i së drejtës penale, Fejzullah Hasani. Ai ka thënë se zyrtarët e këtillë mund të përballen me ligjin, në bazë të Kodit Penal.
“Veprimet e tilla eventualisht mund të cilësohen si: ‘thirrje për rezistencë’ nga neni 403 i Kodit Penal të Kosovës, ngase nuk janë zbatuar vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës për shuarjen e organeve paralele. Edhe pse ligji përdor shprehjen ‘thërret në mosbindje’, vetë ushtrimi i një funksioni të tillë nënkupton thirrje për rezistencë”, ka thënë Hasani.
Për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi ka nen të veçantë edhe në Ligjin për vetëqeverisje lokale, me të cilin Qeveria mund ta suspendojë e me leje të Kushtetueses edhe ta shkarkojë kryetarin e një komune.
“Kryetari i komunës mund të suspendohet me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës brenda afatit prej 30 ditësh, nëse kryetari ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, shkruhet në nenin 64 të këtij ligji.
Procedura që e specifikon ligji përfshin propozimin e MAPL-së për suspendim të kryetarit në Qeveri. Kësaj të fundit ia lë mundësinë për të vendosur rreth suspendimit të kryetarit, i cili ka bërë shkelje për 30 ditë dhe e obligon që rastin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Hapi i fundit për përmbylljen e një shkarkimi të tillë është që Kushtetuesja ta përkrahë vendimin.
Mirëpo Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka qenë e qartë nëse do të ndërmarrë veprime lidhur me ndonjë nga këto raste. Megjithëkëtë, MAPL-ja ka treguar një precedent, duke i dhënë paralajmërim për suspendim një kryetari lidhur me një rast të shkeljes ligjore. Me një rast jo të ngjashëm, porse që lidhet me të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve që janë pakicë brenda komunave, ministri aktual, Elbert Krasniqi, ishte thirrur në Ligjin për vetëqeverisje lokale.
“Në vitin e kaluar e kemi rastin e zgjedhjes së nënkryetarit për komunitete në Komunën e Graçanicës, ku për 4 vjet komuniteti shqiptar nuk ka pasur përfaqësues, ndonëse është e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Për këtë rast, ministri Elbert Krasniqi ka dërguar shkresë paralajmëruese bazuar në nenin 64.1 për kryetarin e Komunës së Graçanicës, lidhur me procedurat e suspendimit të kryetarit të Komunës së Graçanicës, për shkak të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga MAPL-ja. Si rezultat i saj, për herë të parë është emëruar nënkryetari i Graçanicës nga radhët e komunitetit shqiptar”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë.
Më 2 shkurt të sivjetmë, nënkryetar i Komunës së Gracanicës është bërë Leutrim Ajeti, i cili ishte zgjedhur asamblist i Aleancës Shqiptare.
Ndërkaq, ueb faqet e komunave, siç është ajo e Leposaviqit, nuk kanë asgjë të publikuar. Madje shpesh kryetarët, si Zoran Todiq, marrin vendime në institucione paralele e që publikohen në faqet e tyre.
Një prej tyre është edhe vendimi për buxhetin e komunës paralele të Leposaviqit.
Në krye të saj, me shkronja cirilike, shkruhet “Organi i Përkohshëm i Komunës së Leposaviqit”. E nën këtë qëndrojnë logoja e Leposaviqit dhe shkrimi “Gazeta Zyrtare - Viti 2022 – Numër 1 – Leposaviq – 4 shkurt”. Ky vendim i qasshëm në “leposavic.net” mban po ashtu emrin e kryetarit Todiq.
MAPL-ja ka bërë të ditur se merret vetëm me vlerësimin e akteve të 38 komunave që i ka zyrtarisht Kosova. Ndërkaq, lidhur me rastet e publikimit të akteve si në Leposaviq, Ministria nuk u është përgjigjur qartë pyetjeve të KOHËS, por e ka përmendur dërgimin e lëndëve te avokati i shtetit.
“MAPL-ja e bën vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të të gjitha vendimeve të 38 komunave të Republikës së Kosovës, pa përjashtim. Në rast të mosgatishmërisë së zbatimit të rekomandimeve të MAPL-së, ne i drejtohemi Avokaturës Shtetërore dhe lënda dërgohet në gjykatë”, shkruhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Si faqe zyrtare, por që s’ia ka dhënë shteti, Leposaviqi e përdor “e-leposavic.com”, për të cilën ka marrë fonde nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-u). Faqe të formatit të tillë e emaila pa domen të Kosovës, si [email protected], kanë të gjitha komunat e tjera në veri të vendit. Në pyetjen e KOHËS se cilat janë kontaktet që i përdor për t’i kontaktuar komunat në veri, MAPL-ja ka thënë se janë vetëm ato zyrtare. Ndërkohë, lidhur me mosstandardizimin e faqeve dhe mospërdorimin e atyre zyrtare është thënë se po e shqyrton mundësinë e nisjes së një projekti të ri.
“Aktualisht Ministria është duke e bërë analizën dhe shqyrtimin e funksionimit të të gjitha uebfaqeve të komunave dhe është në proces të zhvillimit të një platforme të unifikuar për të gjitha komunat, e quajtur E-Komunat. Kjo platformë do ta mundësojë digjitalizimin e të gjitha shërbimeve dhe aktiviteteve të komunave në kohë reale”, ka shkruar MAPL-ja në përgjigjen e saj.
Institucionet paralele, kjo ministri në përgjigjen e saj ka bërë të ditur se nuk i njeh.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal punon bazuar në legjislacionin dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Institucionet të cilat nuk parashihen me kornizën ligjore dhe me Kushtetutën e Kosovës, MAPL-ja nuk i njeh”, ka shkruar ministria në përgjigjen e saj.
KOHA i ka kontaktuar kryetarët e komunave veriore, si dhe Listën Serbe, lidhur me këto çështje, porse prej tyre nuk ka marrë përgjigje.