Arbëri

IKSHPK: Omicroni po shton rastet fatale dhe po rëndon situatën epidemiologjike

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për kujdes.

Përmes një postimi në Facebook, IKSHPK-ja thotë se Omicron (B.1.1.529) po vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim duke rënduar akoma situatën epidemiologjike me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Përmes këtij postimi thuhet se virusi është kudo dhe nuk duhet neglizhuar rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Gjithashtu kërkohet edhe shmangia e udhëtimeve, këshillohet qëndrimi në shtëpi dhe ajrosja e hapësirave të mbyllura.

IKSHPK-ja thotë se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

“Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë! Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftim.

Omicron, sipas IKSHPK-së është tejet ngjitës, andaj bartja e maskave, mbajtja e distancës duhet të jenë të zbatuara.

Gjithashtu është bërë thirrje edhe për vaksini,

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare. Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.