1 perditesime
Arbëri

Kosova ka pranuar mbi 1 milion doza të vaksinës anti-COVID nga SHBA-ja

Kosova ka pranuar mbi 1 milion doza të vaksinës anti-COVID nga SHBA-ja
Foto: Alban Bujari/KOHA
14:52

Kosova ka pranuar mbi 1 milion doza të vaksinës anti-COVID nga SHBA-ja

Kosova ka pranuar sot një donacion me 515,970 doza të tjera të vaksinës Pfizer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit COVAX, duke e çuar kështu numrin total të dozave të ardhura nga ky vend në Kosovë, në 1.054.170.

Në ceremoninë e pranimit të këtij donacioni, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se me këtë donacion, Kosova tani ka mjaftueshëm vaksina për të vaksinuar 30% të tërë popullatës së saj me të dy dozat e vaksinës.

“Kjo është dërgesa e tretë e vaksinave anti-COVID donacion nga SHBA-ja në Kosovë, dhe e sjellë numrin total të vaksinave donacion amerikan në mbi 1 milionë sosh. Me këtë dërgesë shtesë Kosova ka mjaftueshëm doza për të vaksinuar 30% të tërë popullatës së saj me të dy dozat e vaksinës anti-COVID”, ka thënë Hovenier.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifaj, ka thënë se pandemia COVID-19 u ka shkaktuar popujve në të gjithë botën humbje dhe vuajtje, por njëkohësisht siç ka thënë, ka zbuluar edhe vlerat më të mëdha njerëzore.

“Dita e sotme është një moment i rëndësishëm për të rikujtuar që përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të mëdha që pandemia COVID-19 u ka shkaktuar popujve anembanë botës ka zbuluar edhe vlerat më të mëdha siç është solidariteti dhe mbështetja në njëri-tjetrin duke krijuar një aleancë të fuqishme njerëzore. Një aleancë e tillë është edhe kjo e organizuar përmes mekanizmit COVAX që e ka bërë luftën tonë kundër COVID-19 më të lehtë. Me këtë dhuratë nga SHBSA-ja stokut të vaksinave që MSH-ja tash ka në dispozicion i shtohen mbi 500 mijë doza të tjerë për të ndihmuar luftën kundër COVID-19”, ka thënë Latifaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se i ishte drejtuar presidentit amerikan për ndihmë me vaksina kundër COVID-19. Ajo ka bërë thirrje për vaksinim duke thënë se është e vetmja masë mbrojtëse ndaj virusit. Ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për donacionin e vaksinave.

“Angazhimi ynë, zemërgjerësia e miqve tanë beri që ta rikthejmë shpresën për jetën, të sigurojmë sasi të vaksinave dhe të shpëtojmë jetë. Si në vitin 1999 SHBA sërish u dëshmuan krah nesh. atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës, e sot nga virusi COVID dhe të gjitha variantet e tij. Amerika është dhe do mbetet mike dhe aleate e përhershme e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, është shprehur se pavarësisht se Kosova i ka kaluar dy variantet e fundit të COVID-19 me më sukses se shtetet e tjera, fushata e vaksinimit duhet të vazhdojë fuqishëm.

“Gjatë dy valëve më të fundit të virusit COVID-19 Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore. Vendi ynë po arrin ta minimizojë numrin e vdekjeve prej COVID-19, i cili deri më tani qëndron 6 herë më i ulët për kokë banori sesa mesatarja e vendeve tjera. Prapa këtij suksesi qëndron një strategji anti-COVID e cila quhet vaksinë plus. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet shëndetësore ka treguar dijeninë shkencore dhe guximin politikë për të vendosur masa efikase të mbrojtjes së shëndetit publik. Së dyti, suksesi i Kosovës përballë varianteve Delta dhe Omicron ka ardhur si rezultat i një fushate të rëndësishme të vaksinimit”, ka thënë Kurti.

Në emër të Qeveriusë së Kosovës ai ka falënderuar SHBA-në dhe COVAX-in për këtë donacion.

09:01

Kosova pranon sot mbi 515 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer nga SHBA-ja

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës (MSH) ka bërë të ditur se sot do të pranohen 515,970 doza të tjera të vaksinës Pfizer kundër COVID-19.

Sipas njoftimit të MSH-së, këto doza janë të siguruara nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, për popullin e Kosovës, dhe arrijnë në Kosovë përmes mekanizmit COVVAX.

“Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës do të mbahet sot ceremonia e pranimit të 515, 970 dozave të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Presidenti i SHBA, Joe Biden për popullin e Kosovës, të cilët në vendin tonë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX. Në ceremoninë pranimit zyrtar të këtij donacioni nga SHBA-të për Kosovën do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier , shefja e UNKT, Ulrika Richardson dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ceremonia e pranimit të këtyre dozave fillon në ora 14:00 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Shtëpia e Bardhë ka filluar t’i dërgojë Kosovës vaksina anti-COVID nga gushti i vitit të kaluar. Kontingjenti i parë prej 35,000 vaksinave Pfizer të dërguara në Kosovë si donacion nga SHBA-ja kanë arritur përmes programit COVAX.

Ndërkohë, më vonë në shtator, SHBA-ja ka dërguar edhe 503,100 doza të tjera të vaksinës Pfizer, sërish përmes programit COVAX.

Ndërsa, në një njoftim të mëvonshëm, ambasadori amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të vaksinohen. Në komunikatën që doli nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, u tha se Amerika dhuroi dje vaksinat dhe sot vijnë këtu.