Inspektorati i Punës në Kosovë aktualisht ka vetëm 36 inspektorë, 5 prej të cilëve janë inspektorë me marrëveshje të veçantë dhe të cilët janë shumë pak aktivë, ka thënë Agim Millaku, zëvendësdrejtor i Inspektoratit të Punës.
Në emisionin “SOT” të KTV-së, Millaku ka thënë se një numër i inspektorëve të cilët viteve të fundit ose kanë vdekur ose janë pensionuar, nuk janë zëvendësuar fare.
“Problemet me kapacitetet njerëzore në Inspektoratin e Punës kanë qenë evidente që moti, edhe atë numër që e kemi pasur të inspektorëve tanimë nuk e kemi, pasi që disa kanë ndërruar jetë, disa janë pensionuar por ato vende nuk janë mbuluar kurrë me inspektorë të rinj. Pra numri i inspektorëve prej 50 ka rënë në 36, edhe nga këta 36, i kemi të komunitetit serb në veri pesë me marrëveshje të veçantë të cilët për momentin janë pak aktivë ose fare. Besoj se së shpejti do ta rrisim numrin e inspektorëve. Presim që ky vit të jetë vit i kthesës pozitive në Inspektoratin e Punës”, ka thënë Millaku.
Ai ka folur edhe për ankesat që shkojnë në adresë të Inspektoratit të Punës, duke thënë se ka numër të madh të tyre që vijnë nga gratë, për shkak të shkëputjes së marrëdhënies së punës, pa mbaruar kontrata.
“Kryesisht ankesa vijnë për shkak të shkëputjes së marrëdhënies së punës pa paralajmërim, para se të skadojë afati i kontratës mes palëve. Ndërprerja pa ndonjë procedurë para kësaj kohe dhe pa ndonjë vërejtje ose pa ndonjë arsye, ose me arsyen se ndonjëra prej tyre është shtatzënë, për të mos e ngarkuar veten, tentojnë tu ikin këtyre obligimeve”, është shprehur Millaku.
Sipas tij, një fond shëndetësor për të paguar pushimin e lehonisë së grave, do të ishte një lehtësim për punëdhënësit privat.