Arbëri

Ibadete Bytyçi dhe Fjolla Kaçaniku shpallen më të mirat në shkencë

MASHTI

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur të hënën më të mirët në shkencë, në një ceremoni të organizuar në objektin e këtij institucioni. Në një garë prej 24 kandidatëve, Ibadete Bytyçi dhe Fjolla Kaçaniku u shpallën shkencëtaret e vitit 2021.

Bytyçi është kardiologe në QKUK dhe mori çmimin “Shkencëtari i Vitit” për punimet e saja shkencore në fushën e kardiologjisë. Ajo u shpreh e lumtur që puna e saj u vlerësua edhe nga institucionet vendore.

“Në këtë botë nuk di që ka ndonjë gjë më peshuese sesa atëherë kur puna jote ka vlerë. Ajo e bënë aq të lehtë mundin dhe sakrificën e rrugëtimit tënd. Andaj, sot përzemërsisht falënderoj MASHT-in që në shtetin tim, në vendin tim, më mundësuan të përjetojë një ndjenjë të tillë”, tha Bytyçi.

Ndërsa Fjolla Kaçaniku, e doktoruar në fushën e edukimit, tha se vlerësimi që iu bë do t’i shërbejë si motiv për më shumë punë.

“Unë tani këtë çmim do ta marrë dhe do të mundohem që jo vetëm aspekt shkencor por edhe të përkthimit të këtyre të dhënave shkencore t’i aplikoj në praktikë drejt përmirësimit të cilësisë në arsim”, tha Kaçaniku.

E ministrja Arbërie Nagavci u shpreh e lumtur që ky çmim po ndahet për dy zonja. Ajo premtoi buxhet më të lartë për shkencën dhe përkushtim më të madh në përmirësimin e kushteve për shkencëtarët.

“Mbështetja do të jetë e plotë jo vetëm në aspektin formal në krijim të legjislacionit dhe hapësirës por edhe me buxhet dhe kushtet e nevojshme për t’ju mundësuar krijuesve dhe hulumtuesve tanë që të kryejnë punën e tyre në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, tha Nagavci.

Por, në këtë ceremoni pati edhe njerëz që u ankuan për investimin në shkencë.

“Norma e cila është 0.7 për qind nga buxheti i Kosovës është normë e ulët dhe duhet të ngritët për stimulim. Vitet e shkuara ky aktivitet ka kaluar pa u vërejt shumë.”, tha Shyqyri Kelmendi, kryesues i Këshillit Shkencor të MASHTI-t.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit çdo vit shpërblen shkencëtarët kosovarë për punën e tyre në fushat përkatëse. Aplikimet për këto çmime analizohen për dy javë nga nënkëshillat shkencore e më pas rekomandimet dërgohen në Këshillin Shkencor të MAShTI-t, i cili vendos për fituesit.