Çmimet e derivateve do të pësojnë rritje të vazhdueshme gjatë muajit shkurt. Ato pritet të shkojnë deri në 1 euro e 60 centë. Sipas ekonomistëve, do të ketë pasoja në ekonomi, duke rritur koston e prodhimit dhe duke rënduar xhepat e qytetarëve. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se çmimet janë reflektim i atyre në tregjet botërore. Për pak ditë pritet të rritet edhe çmimi i energjisë për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovatë në muaj
Prishtinë, 6 shkurt - Çmimi i naftës në Kosovë ka arritur në 1 euro e 33 centë për litër. Brenda muajit ky çmim mund të shkojë deri në 1 euro e 60 centë. Edhe një litër benzinë tani tregtohet me çmim prej afro 1 euro e 35 centë.
Shkak për këtë, sipas ekonomistëve, janë luhatjet në bursat ndërkombëtare, por edhe situata e tensionuar Rusi-Ukrainë.
Rritja e çmimit të naftës, sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, do të ndikojë në rritjen e kostos së prodhimit.
“Besoj që është një sfidë që do të ndikojë në disa dimensione, por ajo që do të jetë më shqetësuese është fakti që do të goditet kostoja e prodhimit vendor, do të goditen familjet kosovare në forma të ndryshme. Edhe e tëra kjo është që kur kemi rekomanduar që Kosova të ketë rezerva shtetërore dhe ligji mbi rezerva të jetë i implementuar ka hasur në vesh të shurdhër”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, pandemia ekonomike ka goditur Kosovën me të madhe në shumë fusha, në veçanti në aspektin ekonomik.
“Kjo po vërehet me rritjen e pakontrolluar të çmimeve të produkteve strategjike, përveç krizës me energji elektrike, jemi duke u ballafaquar edhe me ngritjen e çmimit të derivateve të naftës”, ka thënë ai.
Qytetarët, sipas tij, po ballafaqohen me situata të palakmueshme në aspektin ekonomik dhe me rritje të varfërisë.
“Çmimet janë duke u rritur në një mënyrë të pakontrolluar, por e shihni që krizat globale dhe tensionet mes fuqive globale janë mjaft të acaruara, të cilat ndikojnë në ngritjen e çmimit të këtyre produkteve”, ka theksuar ai.
Rritje e paparë e çmimeve të derivateve
Rritja e vazhdueshme e çmimit parashihet të jetë në nivel të paparë ndonjëherë në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se kjo është reflektim e rritjes së çmimeve në bursë dhe në organizatën OPEC.
“Sipas njoftimeve që kemi pasur nga organizata OPEC, është dashur që në fund të janarit të ketë stabilizim të çmimeve, por kjo nuk ndodhi. E kemi rastin Ukrainë-Rusi dhe edhe kjo e ka tensionuar dhe ka dhënë shtytje që të rriten çmimet e derivateve. Kemi rritje të derivateve çdo ditë, brenda 24 orëve 25 euro në ton. Nuk pritet që për një kohë të stabilizohet. Kjo rritje do të vazhdojë”, ka thënë Berjani.
Kosova ende nuk ka miratuar në lexim të dytë ligjin për naftën. Me ligj, sipas Berjanit, do të përfitojnë qytetarët dhe shteti.
Mungesa e rezervave shtetërore
Ndërsa Gërxhaliu vë në pah edhe mungesën e rezervave shtetërore të produkteve strategjike.
“Duhet të mësohemi që të jemi të orientuar drejt krijimit të rezervave shtetërore, në veçanti të produkteve strategjike dhe produkteve esenciale dhe mbi të gjitha duhet të kemi një pako që është në funksion të ndihmës së qytetarëve dhe bizneseve. Është koha që duhet të kemi një dialog të mirëfilltë dhe të ketë një partneritet se si të minimizohen efektet e pandemisë që në një kohë afatmesme dhe afatgjatë do të lërë gjurmë në ekonominë kosovare”, ka thënë Gërxhaliu.
Çmimi i derivateve kishte pësuar rënie në fillim të pandemisë, e gjatë vitit 2021 pati luhatje të çmimeve. Edhe pse ishte paralajmëruar stabilizim i çmimeve të naftës gjatë janarit, nuk ndodhi.
Kjo situatë është shqetësuese për qytetarët të cilët thonë se shtrenjtimi i karburanteve i ka prekur jashtëzakonisht ashpër në xhepin e tyre, i cili tashmë është ndikuar shumë edhe nga rritja e çmimeve të tjera të produkteve të konsumit.
“Është e vështirë. Për xhepin tonë është e vështirë ngritja e çmimit, jo veç e naftës po edhe e produkteve të tjera që janë shtrenjtuar. Këto janë të vështira për t’u përballuar, pasi pagat janë të njëjta qysh kanë qenë, ndërsa çmimet kanë lëvizur me 100% e më shumë”, ka thënë Ibrahim Karameta, qytetar.
Për këto ngritje çmimesh, Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” po kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit. Kaçaniku ka theksuar se në situata të tilla Qeveria duhet të solidarizohet me qytetarët dhe të mos jetë vetëm spektatore.
“Naftëtarët kanë qenë të përbetuar vite më parë se nuk fitojnë më shumë se 6, 7, 8 maksimumi 9 centë për litër dhe nëse diferenca është 9 centë, atëherë ja ku po qëndron problemi. Dikush këtu nuk po e thotë të vërtetën dhe kur dikush nuk e thotë të vërtetën, atëherë Qeveria, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe të tjerat duhet të vijnë në veprim”, ka shtuar ai.
Krahas rritjeve të çmimit të derivateve, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë. Tarifat e reja të energjisë pritet që të vendosen gjatë muajit.