Arbëri

Molliqaj: S’ka profesion më të keqpërdorur nga Kurti se ai i policit

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se polici Amir Hoxha është suspenduar nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin.

Kjo deklaratë e Molliqajt ka ardhur pasi zyrtari policor Hoxha ka shkruar të shtunën në Facebook se është suspenduar për tri ditë nga puna, për shkak të një statusi po në Facebook ku kërkonte pagesë për shujtat dhe punën jashtë orarit të punës.

Molliqaj për këtë ka thënë se nuk ka profesion më të keqpërdorur nga Qeveria Kurti, se ai i policit

“Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit. Mbani mend skenat në veri për hesape elektorale? Por kontrolli nga sipër, që vie duke u rritur, po fillon me ata që cenojnë idiliken e demokracisë. Polici i përjashtuar nga puna shpërfaqi kontradiktën në mes të privilegjeve të atyre në pushtet dhe kushteve të vështira të punëtorit. Prandaj u largua. Ai tha shumë, me pak fjalë. Polici nuk është trup në shërbim të privilegjeve të shefit. Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vështirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet. Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri. Por sikur në secilin profesion, njeriu nuk është i reduktueshëm në punën që bënë. Polici është edhe qytetar. Amir Hoxha u largua nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin. Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë”, ka shkruar Molliqaj.

Sipas tij, shembujve për disiplinim që po jep pushteti qytetarët duhet t’i përgjigjen me mësime që jep organizimi sindikal.