Arbëri

KEK-u e KOSTT-i: “Kosova A” ra nga sistemi për shkak të problemeve teknike

kosova b

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe KOSTT-i kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë të ditur se rënia nga operimi i dy njësive të Termocentralit Kosova A, më 6 dhjetor të vitit të kaluar, ka ndodhur si rezultat i lidhjes së shkurtër në stabilimentet e tensionit të lartë, që janë asete të KOSTT-it.

Sipas deklaratës, ky është konstatim vjen nga ekspertët e të dy kompanive, dhe tregon se nuk ka vend për dyshime dhe veprime të qëllimshme, por e gjitha ka ndodhur si rezultat i problemeve teknike.

“Duke iu referuar situatës së krijuar me datë: 06.12.2021, kur rreth orës 05:50 min dy njësitë e TC Kosova A (njësia A3 dhe A5) kishin rënie të paplanifikuar nga operimi në të njëjtën kohë, KEK DHE KOSTT jep këtë deklarat të përbashkët: Njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5) kishin rënë nga sistemi si rezultat i lidhjes së shkurtër në stabilimentet e tensionit të lartë - 220 kV, asete të KOSTT-it. Ky është një konstatim i përbashkët nga ekspertët e dy kompanive KEK dhe KOSTT, dhe tregon se nuk ka vend për dyshime dhe veprime të qëllimshme por e gjitha që ka ndodhur është si rezultat i problemeve teknike dhe më pastaj në përputhje të plotë me veprime të procesit teknologjik në mbrojtje të gjeneratorëve dhe sistemit elektroenergjetik për rastet kur paraqitet një avari e tillë në stabilimentet e tensionit te larte 220 kV. Pas përfundimit të raportit profesional nga ekspertët e dy palëve KEK dhe KOSTT, eliminohen dyshimet e pavend dhe përgënjeshtrohen të gjitha deklaratat e pabaza që u hodhën në opinionin publik kinse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm nga kushdo qoftë”, thuhet në deklaratën e KEK-ut dhe KOSTT-it.

Kjo deklaratë ka ardhur pasi kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, pati thënë se rënia e bllokut A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme dhe është shkaktuar nga vetë KEDS-i.

Sipas tij, qëllimi ka qenë që t’i prishet reputacioni KEK-ut.

“Në bazë të burimeve tona brenda Korporatës Energjetike të Kosovës janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë sistemin e energjisë në Kosovë. E para, tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona, 10 ditë më parë kishte rënie të bllokut A3 dhe A5, kishte një mungesë të shtuar të energjisë. Sipas asaj që kemi informacion dhe që kërkojmë hetim, rënia e bllokut A3 dhe A5 duket se ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i. Në mungesë të shkarkimit të rrymës dhe kthimit të rrymës nga KEDS drejt termoelektranës A3 dhe A5 ka ndodhur dëmtimi i qëllimshëm i kësaj. Ne dyshojmë që nëse vërtetohet kjo, i bie që ka pasur synim KEDS-i bashkë me Qeverinë dhe menaxhmentin e ri të KEK-ut të dëmtojë reputacionin e KEK-ut dhe të thotë se mungesa e energjisë elektrike në Kosovë është e shkaktuar nga mungesa e prodhimit dhe problemeve në KEK. Kërkojmë hetim urgjent nga organet kompetente”, pati thënë Molliqaj, në dhjetor, kur Kosova përballej me krizë energjetike dhe reduktime të rrymës.